Pas 8 vitesh që ka qenë për herë të fundit në krye të një skuadre në Seria A, ish-trajneri i Kombëtares, Gianni De Biasi, mund të rikthehet në Itali.
Siç raportojnë mediat italiane, drejtuesit e Frosinones po mendojnë seriozisht shkarkimin e trajnerit Moreno Longo, teksa ditën e sotme pësoi humbjen e gjashtë në shtatë takime këtë sezon. Teksa u përfol se mund të shkonte në krye të kombëtares së Armenisë, tashmë emri i De Biasit lakohet, edhe si trajner i mundshëm te Frosinone.
62-vjeçari për herë të fundit në Serinë A ka drejtuar Udinesen në sezonin 2009/10, ndërsa në dhjetor të 2011 u emërua trajner i Shqipërisë, eksperiencë të cilës u dha fund më 14 qershor të vitit të kaluar.