De Biazi flet haptaz edhe për kampionatin shqiptar: “Niveli është i ulët dhe nuk ka akademi mjaftueshëm për të rinjtë. Shqipëria është një vend i varfër dhe pak njerëz zotërojnë shumë pará”.
Për De Biazin, shqiptarët kanë ende probleme të mëdha mentaliteti: “Ata duan të shkojnë në hënë me biçikletë! Ky është problem i madh, por ky është mentaliteti i futbollit, jam mësuar. Të gjithë duan kalimin e grupeve, apo edhe më shumë, por thjesht kualifikimi është një moment historik për Shqipërinë. Nëse kandidoj për kryeministër nesër, fitoj edhe pa bërë fushatë”, shprehet me humor De Biazi.
U takuan, bënë foto, thanë fjalë të shkëlqyera për njëri-tjetrin, por Xhani De Biazit i pëlqen të flasë ‘troç’, teksa në shënjestrën e tij është sërish sulmuesi i Interit Rei Manaj.
Tekniku italian e vlerëson sulmuesin e kjo tregohet në atë çka ai ka deklaruar për revistën “World Soccer”, por: “Manaj është shumë i ri dhe rrallë ka luajtur me ekipin e parë tek Interi. Për mua është një futbollist shumë i mirë, por nuk e ka mendjen në vendin e duhur”.