INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
De Biazi surprizon, ndryshon skemën e Shqipërisë. Ja plani ndaj spanjollëve... [FOTO]

De Biazi surprizon, ndryshon skemën e Shqipërisë. Ja plani ndaj spanjollëve... [FOTO]

Publikuar më: 15:00 08-10-2016

 Shqipëria do të rikthehet ajo e zakonshmja nesër në “Loro Boriçi”, me skemën e preferuar të trajnerit italian, 4- 5-1. Një tjetër strategji do të ndiqet ndaj iberikëve, nisur edhe nga cilësia e madhe që ka kundërshtari, i cili vjen në Shkodër me synimin e vetëm për të marrë tri pikë.

Çdo gjë është e qartë: kërkohet një skuadër kompakte, me një mbrojtje të hekurt, mesfushë me shumë muskuj dhe një kundërsulm “vrasës” për të përballuar yjet e Spanjës. Burime të sigurta të “Panorama Sport” pranë Kombëtares treguan dje se italiani ka në kokë të paktën tri ndryshime në krahasim me ndeshjen në Lihtenshtejn.

Surpriza

Befasia e madhe pritet të jetë ndryshimi në sulm. Edhe pse nuk mund të flitet me siguri, gjasat janë që De Biazi të heqë dorë nga bomberi Bekim Balaj, duke i besuar Sokol Cikalleshit ndaj Spanjës. Duke iu përshtatur kundërshtarit, por edhe karakteristikave të Cikalleshit, mendohet se “muri” i kuqezinjve për të mos lënë hapësira do të nisë pikërisht nga sulmuesi kavajas.

Lëvizshmëria e tij e madhe për t’u bërë presion mbrojtësve si Pike dhe Ramos, në mënyrë që këta të fundit të mos fitojnë metra në fushë, shihet si opsioni më i mirë në krahasim me karakteristikat që ka Balaj. Qendërsulmuesi shkodran është lojtari i momentit te Shqipëria, me dy gola të shënuar në po kaq ndeshje, por rrezikon t’i përsëritet e njëjta situatë si në edicionin e kaluar.

Në eliminatoret e Europianit, De Biazit nuk i mjaftoi perla e Balajt në Portugali, pasi në vazhdimësi e la në stol, për të ardhur te kualifikueset e Botërorit, kur Bekimi i dha 3 pikë ndaj Maqedonisë.

Mbrojtja do të ketë vetëm një lëvizje, teksa vendin e Alijit do ta marrë kapiteni Agolli. Hysaj nga e djathta dhe Gjimshiti e Mavraj në qendër janë të padiskutueshëm. Në mesfushë rikthehet titullar Memushaj, ndërsa pjesa tjetër mbetet e njëjtë, me Abrashin, Kukelin në qendër, si dhe Roshin e Hykën, që do të luajnë nga krahët.

Dilema më e madhe duket se është Taulant Xhaka, i cili edhe këtë herë me shumë mundësi do të mbetet në stol. Një ide është që nëse De Biazi vendos të luajë me tre shkatërrues, Xhaka do jetë titullar dhe do sakrifikohet Hyka. Megjithatë, ky është thjesht një plan B. Në stol do të ulet Azdren Llullaku, që debutoi si titullar ndaj Lihtenshtejnit.

 

Article Logic
Execution time: 0.0037798881530762