INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS

Dëbora bllokon rrugët dhe lë pa ushqime zonat e thella[VIDEO]

Publikuar më: 10:35 28-02-2018

Ashtu siç sinoptikanët kishin paralajmëruar dëbora ka zbardhur gjithë vendin, madje dhe kryeqytetin. Ndërsa në rrethet ajo ka sjellë probleme jo vetëm në qarkullim, por dhe për shkak të bllokimit të zonave të thella shumë banorë janë pa drita, ujë të pijshëm dhe ushqime. Gjithashtu është pezulluar mësimi në afro 300 shkolla.

Qarku Tiranë
Reshje të shumta dëbore kanë rënë gjatë gjithë natës në Tiranë, por me intensitet më të ulët gjatë orëve të ditës. Bashkia e Tiranës ka punuar që rrugët në zonat e thella të kryeqytetit të hapen dhe kalimi bëhet me ndihmën e zinxhirëve, në rrugën Qafë Priskë – Shëngjergj, Qafë Priskë – Qafë Mollë dhe segmenti rrugor nga Trau Dajt – Antena – Teleferik.
Qarku Dibër
Reshjet e dëborës në të gjithë qarkun e Dibrës 24 orët e fundit s’janë ndalur. Problematike është situata e qarkullimit të automjeteve, përfshirë edhe aksin nacional Tiranë-Peshkopi, ndërsa fshatrat e thella malore janë të izoluar. Trashësia e dëborës arrin nga 50 cm në zonat e ulëta deri në 1.5 m në zonat malore. Në shumë shkolla mësimi është ndërprerë, ndërsa banorët e fshatrave të thella ankohen për mungesën e ushqimeve.  
Qarku Kukës
Më shumë probleme në Qarkun e Kukësit ka në Fushë Arrëz-Shemri, pasi rruga është e hapur vetëm me një kalim. Emergjencat civile thonë se përdoruesit e rrugës të kenë kujdes, pasi ka rrezik nga orteqet e dëborës.
Qarku Lezhë
Në Qarkun e Lezhës temperaturat jane ulur ndjeshëm. Të paktën lëvizja përgjatë Rrugës së Kombit kryhet pa probleme, por me ndihmën e zinxhirëve. Të bllokuar janë disa fshatra në Mirditë, pasi trashësia e dëborës ka arritur 50 cm. Kurse në segmentin Lezhe - Vau i Dejes rruga është e kalueshme vetëm me një korsi.

Qarku Shkodër
Aksi rrugor Shkodër-Theth është i bllokuar nga dëbora në vendin e quajtur Qafë Thore. Në Njësitë Administrative Pult dhe Shosh nuk ka energji elektrike, sepse janë këputur telat, si rezultat i erërave të forta.
Qarku Vlorë
Dëbora ka izoluar disa zona të thella të Vlorë, ku në Llogara është bllokuar deri dhe qarkullimi i automjeteve. Zona e bregut, Himara, Borshi dhe Dhërmiu janë të bllokuara dhe lëvizjet e makinave drejt Vlorës bëhen vetëm me zinxhirë.
Qarku Durrës
Në qarkun e Durrësit më shumë probleme nga moti i keq janë shfaqur në Krujë. Qyteti i Krujës është mbuluar tërësisht nga dëbor dhe në malësinë e Krujës ajo shkoi deri në 80 cm. Aksi rrugor Krujë-Qafshtamë është i bllokuar, ndërsa aksi Fushë Krujë-Krujë është i kalueshëm me zinxhirë. Edhe në pjesën e mbikalimit Shkozet-Ura e Dalajnit është bërë pastrimi dhe kriposja për t’u shmangur ngricat.
Qarku Elbasan
Problematike situata është paraqitur edhe në qytetin e Elbasanit, pasi është e rrallë që në këtë qytet të bjerë dëborë. Më problematike në qarkullim janë akset Elbasan-Qafë Kërrabë dhe aksi Elbasan-Librazhd-Qafë Thanë dhe këshillohet përdorimi i zinxhirëve.
Qarku Korçë
Akset rrugore Boboshticë – Dardhë, Korçë-Voskopojë, Ersekë – Çarshovë kanë ende probleme dhe qarkullohet me zinxhirë. Ndërsa në qytet është punuar dhe borëpastrueset kanë hapur rrugët.

Article Logic
Execution time: 0.0028870105743408