Fundjava u pushtua nga temperaturat nën zero gradë dhe i ftohti i acartë. Sipas meteorologëve, i ftohti do të vazhdojë edhe në javën e ardhshme.
E marta do të jetë dita më e ftohtë e muajit janar. Duke qenë se ditën e hënë fillon shkolla, fëmijët rekomandohet të vishen në mënyrë të përshtatshme për të përballuar të ftohtin.
Meteorologët thonë se janari është i ftohtë, si pasojë e ardhjes së masave ajrore me origjinë polare, që kanë ndikuar deri në detin Mesdhe. Sa i përket javës që vjen, që shënon edhe nisjen e shkollës pas pushimeve dimërore, sinoptikanët bëjnë këtë parashikim.
“E hëna do të jetë e ftohtë, me temperatura nga -9 më e ulëta në 7 gradë më e larta. Ndërsa e marta, që do të jetë dita më e ftohtë e javës që vjen, temperatura do të jetë -11 gradë Celsius në Peshkopi dhe Ersekë. Të mërkurën do të kemi ardhjen e një sistemi vranësirash drejt vendit tonë, që do të sjellin reshje dëbore, pasi mbetemi në vlera negative. Temperaturat do të vijnë duke u rritur deri ditën e premte”, thonë meteorologët.