INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Deklarata e Ministrisë së Punëve të Jashtme mbi ndihmesën vëllazërore të Shqipërisë për shqiptarët në Maqedoni

Deklarata e Ministrisë së Punëve të Jashtme mbi ndihmesën vëllazërore të Shqipërisë për shqiptarët në Maqedoni

Publikuar më: 16:17 07-01-2017

Shqipëria ka ndjekur me vemendje të posaçme zhvillimet në Maqedoni duke qenë në komunikim të vazhdueshëm me të gjithë aktorët politikë dhe shoqërorë, shkëmbyer mendime, ide e analiza për të qendruar më pranë dhe kuptuar sa më mirë dinamikat e zhvillimeve.

Rezultati i zgjedhjeve të 11 dhjetorit i ka vënë partitë shqiptare në një pozicion vendimtar për krijimin e shumicës së ardhshme dhe institucioneve që do të dalin prej tyre. Kjo kërkon një reflektim serioz dhe me sa më shumë qetësi e maturi për zgjedhjet që do të bëjnë.

Kemi inkurajuar dhe do të vijojmë të inkurajojmë gjithnjë aktorët shqiptarë për të qenë të përgjegjshëm në mbështetje të zhvillimeve demokratike e progresiste në këtë vend.

Mbetet në gjykimin dhe lirinë e tyre për vendimet që do të marrin, aleancat që do të lidhin apo alternativat që do të ndërtojnë. Ajo për të cilën kemi qenë gjithnjë të interesuar është të kuptuarit e rëndësisë së momentit nga aktorët shqiptarë në Maqedoni pasi rezultati zgjedhor e ka bërë të qartë se të dy komunitetet në Maqedoni u kanë kërkuar aktorëve politikë respektivë një kontratë të re për vendin.

Maqedonia ka nevojë për një shumicë qeverisëse solide, të qendrueshme e aftë ta nxjerrë vendin nga kriza duke ndërmarrë një proces reformash që do të rinxisin procesin e integrimit evropian dhe euroatlantik.

Prandaj ne kemi kërkuar dhe punuar për një platformë gjithëpērfshirëse të partive shqiptare në mënyrë që shumica e ardhshme të jetë e qendrueshme dhe ti ofrojë vendit një program të ri, ambicioz që zhvillon e forcon më tej kohezionin social dhe karakterin shumeetnik e kulturor të Maqedonisë.

Hapi historik i bashkimit të faktorit politik shqiptar në Maqedoni përbën një moment pjekurie politike, në të njëjtën kohë nevojë urgjente e avancimit të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Republika e Shqipërisë mbështet këtë deklaratë si një kornizë e përbashkët veprimi e faktorit politik shqiptar në Maqedoni në funksion të avancimit të të drejtave, lirive dhe barazive të mundësive mes komuniteteve shtet-formuese në Maqedoni.

Shqipëria ka qenë dhe vijon të jetë e interesuar për një Maqedoni stabël, funksionale, demokratike dhe të kyçur në rrjedhat euro-atlantike, si dhe do të vijojmë të mbështesim çdo iniciativë në funksion të këtij objektivi.

Ministria e Punëve të Jashtme

Drejtoria e Diplomacisë Publike, Partneriteteve dhe Diasporës

Sektori i Diplomacisë Publike

Article Logic
Execution time: 0.0035150051116943