INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Del në dritë një tjetër bllok banimi në Tiranë

Del në dritë një tjetër bllok banimi në Tiranë

Publikuar më: 14:49 02-08-2018

Bashkia e Tiranës po punon për rikualifikimin urban të një blloku të ri banimi në kryeqytet, kësaj radhe në Laprakë. Në këtë bllok banimi janë ndërtuar rrugët lidhëse midis rrugëve “Marubi” dhe “S. Bruzi”, si dhe është kryer sistemimi i kanalizimeve të ujërave të zeza, të ujërave të shiut, ujësjellësi, ndriçimi etj.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj inspektoi ecurinë e punës, së bashku me deputetin e PS, Ulsi Manja. Ai theksoi se ky është një tjetër premtim i mbajtur për qytetarët të zonës pranë Spitalit Ushtarak. “Jam jashtëzakonisht i kënaqur nga mënyra se si kanë ecur punimet në këtë zonë me rrugët “Marubi”, “Bruzi” dhe rrugicat që i lidhin ato. Mbaj mend se kam qenë ekzaktësisht përpara 3 vitesh këtu, në një familje këtu afër, të cilët më thanë: “Kryetar, do të votojmë për ty, por rrugës tonë s’ka për t’i ardhur radha në mandatin e parë”. Ende s’ka mbaruar mandati i parë, jemi në vitin e 3-të dhe po mbajmë premtimet që kemi dhënë në fushatë, për t’u siguruar se bëjmë gjithçka kemi premtuar. Përkundrazi, u bë jo vetëm rruga që u premtua, por i gjithë blloku”, tha Veliaj.

Ai falenderoi banorët për mirëkuptimin e treguar gjatë punimeve që po realizohen për transformimin e bllokut, kryesisht me shtëpi private. Veliaj u bëri thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë për lirimin e hapësirave, të cilat pengojnë projektet zhvilluese me impakt pozitiv për të gjithë komunitetin. “Duhet bashkëpunim të lirojmë nga pak trotuar. Një shtëpi me trotuar, me ndriçim, me rampë, me kanalizime, me infrastrukturë nëntokësore, me hapësirë për fëmijët dhe nënat me karrocë, ku gjyshërit ecin të sigurt, është një shtëpi me vlerë. Ndaj, ftesa ime për të gjithë banorët është: fadroma e bashkisë nuk vjen që t’u rimarrë tokën ose pronën, që sapo e legalizoi qeveria. Përkundrazi, vjen që ta urbanizojë atë, që t’ia rrisë vlerën pas legalizimit”, tha ai.

Paralelisht me përfundimin e rifiniturave të fundit të rrugës, po vijon puna edhe me institucionet e tjera për zhvendosjen e disa shtyllave. “Kemi ende disa rifinitura, do na pasojë OSHEE-ja, telekomi gjithashtu, për të zhvendosur shtyllat respektive në vendet që tashmë ua kemi lënë gati, e kushdo që jeton në Njësinë 11 si në mes të Bllokut, të thotë: Po, unë jam krenar që jam nga Tirana”, deklaroi Veliaj.

Kryebashkiaku tha se bashkëpunimi Qeveri-Bashki në këto vite ka rezultuar histori suksesi, duke thyer rekord jo vetëm në procesin e legalizimit të ndërtimeve informale, por edhe në urbanizmin e këtyre zonave. “Qeveria ‘Rama’ dhe kjo bashki do të mbahen mend për faktin që kanë thyer rekord: njëra për legalizimet, tjetra për urbanizimet. Filozofia jonë është: qeveria është një hap përpara me legalizimet, pra u bën letrat dhe u jep të drejtën e pronësisë kujtdo që ka vendosur të vendoset në Tiranë, ndërkohë më pas vjen bashkia për të urbanizuar zonën. Them se të dyja palët, qeveri-bashki, kemi arritur një histori suksesi. Ndaj, besoj sot kjo lagje ngryset me një vlerë më të madhe”, theksoi Veliaj.

Deputeti i PS, Ulsi Manja falenderoi Bashkinë e Tiranës për vëmendjen e shtuar, ndërsa njoftoi edhe projektin për rehabilitimin e blloqeve të tjera, duke i dhënë një pamje krejt tjetër gjithë Njësisë 11. “Dua të falenderoj Bashkinë e Tiranës për vëmendjen e shtuar për njësinë 11. Janë afro 6 milion euro investime nga viti 2015, që Bashkia e Tiranës ka investuar në infrastrukturë në lagjet e Njësisë 11. Punë të tjera na presin bashkë me kryetarin e bashkisë. Jemi në studim e sipër edhe për dy-tre blloqe të tjera, ku do të investohet në të ardhmen”, tha deputeti Manja.

Article Logic
Execution time: 0.003572940826416