Delegacioni i Kuvendit të Kosovës i kryesuar nga kryetari i saj dhe deputetë të Grupeve Parlamentare nga pozita dhe opozita kanë nisur lobimin për vizat. Ata kanë udhëtuar sot drejt Austrisë për një vizitë zyrtare. Kadri Veseli do të pritet në takim të posaçëm nga kryetari i Parlamentit të Austrisë, Wolfgang Sobotka ku do të diskutojë për bashkëpunimin ndërshtetëror dhe për procesin e integrimeve evropiane të vendit me për procesin e liberalizimit të vizave. Delegacioni i Kuvendit të Kosovës do të zhvillojë takime edhe me kryetaren e Grupit Parlamentar të miqësisë Austri-Kosovë, Carmen Jeitler-Cincelli, ndërsa do të pritet në një takim edhe nga Komisioni Parlamentar për Punë të Jashtme i Kuvendit të Austrisë.
Ndërkohë, Raportuesi për Kosovën në Parlamentin Evropian, Igor Soltes, shfaqi të mërkurën besimin se liberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës do të ndodhë deri në fund të këtij viti. Ai tha se në Parlamentin Evropian ka dakordësi për heqjen e vizave për qytetarët e Kosovës dhe shpreson që raporti për këtë çështje që pritet të publikohet këtë muaj nga Komisioni Evropian, të jetë pozitiv dhe t’i dërgojë sinjal të qartë Këshillit Evropian, në mënyrë që të miratojë heqjen e vizave për Kosovën.