Ish-kreu i PD-së së Gjirokastrës, Roland Bejko i ka dalë në krah deputetes Rudina Hajdari, e cila deri në këto momente nuk e ka dorëzuar mandatin siç veproi i gjithë grupi parlamentar i PD-së. Në Facebook ai bën thirrje që të ndalohen sulmet ndaj saj, ndërsa risjell në vëmendje Azem Hajdarin si politikan. “Boll me sulme ndaj Rudina Hajdarit, ato janë të turpshme. Nuk ju nderojnë. është e bija e Azem Hajdarit, e atij lideri të fortë që frymëzimin për aktet e mëdha politike e merte nga liria. Azem Hajdari ishte një figurë atipike në politikën shqiptare që nga dita e parë e deri në ditën e fundit të jetës së tij. Ai nuk dinte të lëpihej, të zvaritej, të servilosej për tu ngjitur në karrierë. Ai nuk ishte conformist. Ai refuzonte të mendonte me mendjen e të tjerëve por mendonte, gjykonte e vendoste me mendjen dhe zemrën e tij. Ai nuk ishte dele në tufën e madhe ku urtësisht e paqësisht mund të hidhej në humnerë me urdhërin e parë të të parit të kopesë, por ishte i tillë që vihej vet në krye të tufës, dhe shpesh e shpëtonte atë nga rrëzimi në honet e thella të politikës. Azemi ishte i pabindur ndaj urdhrave dhe vendimeve të partisë kur bindja, llogjika, arsyeja apo edhe instikti i thoshte se shumica e kishte gabim”, shkruan Bejko.
Ish-kreu i PD Gjirokastër, anëtar i Partisë Demokratike, shton se, Lulzim Basha largon vajzën e Azem Hajdarit nga partia, atëhere ai nuk do jetë më anëtar i PD.
"Nëse Lulzim Basha largon nga PD të bijën e Azem Hajdarit, unë deklaroj sot se nuk do të jem më anëtar i Partisë Demokratike për aq kohë sa kjo parti parimin e saj fondamental LIRINË, ta ketë zëvendësuar me DISIPLINËN, me këtë parim që është në genin e partive që pjellin diktatorë dhe diktatura.Pra, për hir të asaj se mos më mërzitet kryetari apo turmat e inatosura, unë nuk do pranoj të jem hija e vetvetes, pra hija e studentit të Dhjetorit 90’, shkruan Bejko.