INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Denoncoi Leonard Bombajn për përdhunim, flet për herë të parë dhe të fundit Ajsi: Më vranë ëndrrat dhe fëmijërinë

Denoncoi Leonard Bombajn për përdhunim, flet për herë të parë dhe të fundit Ajsi: Më vranë ëndrrat dhe fëmijërinë

Publikuar më: 19:41 21-03-2017

Ajo është një prej historive më tronditëse për të cilën është përfolur shumë për një kohë të gjatë, ku Ajsi Xhaxhaj denoncoi për përdhunim regjisorin Leonard Bombaj. E për të parën herë pas shtatë vitesh, Ajsi ka folur sonte në Pasdite në Top Channel përballë Jonida Shehut për të dhënë versionin e saj për herë të parë dhe të fundit. Nuk mund të mungonin as lotët gjatë intervistës së saj, ku kujtoi ëndrrat e një fëmijërie të vrarë, abuzimin që zgjati 5 vjet dhe ringritjen e planet për të ardhmen. Duke mos gjetur drejtësinë te institucionet përkatëse, Ajsi po kërkon drejtësinë hyjnore dhe shprehet se nuk ka urrejtje në shpirtin e saj.

22 vjeçarja ka treguar për herë të parë si ia morën të gjitha paratë që kishte në llogarinë bankare për reklamat dhe shfaqjet që bënte.

Ajo e nis rrëfimin e saj duke treguar pse nuk ka folur kurrë për këtë çështje. "Mediat kanë përshkruar vetëm versionin e palës tjetër. Unë mendova që do të ishte e drejtë që të qetësohesha si fillim, të rritesha edhe të prononcohesha. Kjo histori ka lënduar shumë familjarët e mi dhe mua, ndaj unë dua të tregoj të vërtetën time, por pa detaje sepse detajet janë të shumta e të mjaftueshme", tha Ajsi në “Pasdite në Top Channel”.

Në një intervistë të ngarkuar emocionalisht, ajo tregon se është lënduar shumë edhe nga opinioni publik, asaj pjese që nuk e besojnë atë çfarë i ka ndodhur asaj, në atë kohë një fëmijë.

"Unë i qëndroj strikte versionit të deponimit që kam bërë vite më parë në prokurori, sepse çështja ime nuk u mor kurrë në konsideratë, duke u vlerësuar vetëm versioni i palës tjetër", tha Ajsi. Ajo tha se nuk iu dha ndonjë arsye se pse u mbyll çështja, “por si çdo gjë në Shqipëri njerëzit me status dhe kostum kanë më shumë përparësi sesa unë, që vija nga një familje modeste”, shton ajo, duke treguar edhe shumë probleme edhe në organet e drejtësisë.

"Situata të vështira kam pasur plot dhe teksa kam qenë me 40 temperaturë kam shkuar me nënën time në prokurori dhe shpesh më kanë fyer dhe jam ndjerë shumë keq atje sepse ata njerëz që janë marrë me këtë çështje e dinë shumë mirë të vërtetën", tregon Ajsi.

 "U bënë 7 vite nga ajo histori. Kjo është hera ime e parë dhe njëkohësisht e fundit që unë flas për këtë çështje. Ndryshe nga pala tjetër, nuk do baltos askënd si ata bënë me mua herë pas here", thotë e vendosur Ajsi.

"Koha shëron plagë, por edhe tregon të vërtetën. Pas deponimit të kësaj ngjarjeje, unë fillova të jetoj sipas mënyrës sime sepse në vegjëli unë jetova sipas mënyrës që donin të tjerët. Është hedhur shumë baltë mbi mua, por unë jam e fortë dhe jam ringritur”, dëshmon ajo e përlotur.

E pyetur nga moderatorja Jonida Shehu në lidhje me kohën kur ka ndodhur abuzimi, ajo tregon se bëhet fjalë për moshën 10-vjeçare e deri në moshën 15-vjeçare, pra 5 vite. “Por ama ka shumë arsye që unë denoncova kaq vonë. Një nga arsyet ishte familja dhe karriera ime, që unë e kam dashur e do ta dua edhe sot, por edhe sepse u rrita. Ajsi u rrit dhe kuptoi që nuk ishte "vetëm" në dorën e palës tjetër, por dyert ishin të hapura aty për të më qasur brenda", vazhdon bisedën 22-vjeçarja.

Ndërsa publikut i bëri thirrje që të logjikojnë shumë mbi mënyrën se nuk e bëri për famë, duke argumentuar se ajo ishte shumë e adhurueshme në atë kohë nga bashkëmoshatarët e saj dhe nga prindërit e tyre.

Për para?! "Jo sepse ato para’ që unë punoja nuk m’i kishin hedhur kurrë në llogari dhe më kishin mashtruar. Por për çfarë?! T’i ngjisja vetes një njollë që do më ndjekë në të gjithë jetën”.

Ndërkohë, ajo ka folur edhe për shkrimet e portaleve nëse ekziston diçka midis saj dhe Stresit, duke iu përgjigjur: "Janë hedhur edhe pretendime për mua dhe Stresin, por ai është vetëm një mik i familjes. Në atë kohë e kisha shumë problem t’ia thoja prindërve të mi, ndaj një nga arsyet ishin pikërisht ata që të mos i lëndoja".

"Nëse do të rikthehesha në kohë, unë do bëja të njëjtën gjë. Do flisja disa vite më pas sepse jo gjithçka thuhet në kohën e duhur, mbase nuk ishte mënyra e duhur e tregimit të ngjarjes, por sërish unë do bëja të njëjtën gjë", tha Ajsi.

E pyetur se a ka më urrejtje, Ajsi përgjigjet se beson në Zot, megjithëse në fillim ia la në dorë shtetit, e ky i fundit, sipas saj, nuk ia ktheu pritshmëritë që kishte. E nëse do tu përballte në rrugë me personin që ka abuzuar me të ajo thotë se do t’i bënte vetëm një pyetje “Pse mua?”

Ndërsa për librin e botuar nga Leonard Bombaj pas asaj ngjarjeje e cila bëri bujë, ajo shtoi: "E kam lexuar atë libër. Nëse unë do isha ai person që ai shkruan, atëherë pse do më mbante ende në grupin e tij? Harruan që nëse do isha e tillë, sërish asgjë s’i justifikon veprimet që është bërë ndaj meje”.

Ajsi Xhaxhaj foli edhe për ish-miqtë e saj: "Ish-miqtë e mi, në atë kohë kur bëra denoncimin, publikuan disa foto që u quajtën nudo, por në fakt ato foto janë bërë në plazh, ku kam dalë me një foto me fustan plazhi dhe asgjë më tepër. Megjithatë, foto si ato që kishin ata, edhe unë kisha, por nuk i publikova sepse e lashë atë pjesë, nuk mund tu hedh dot baltë. Por, nuk i vë dot faj sepse ata më kishin xhelozi mua, duke qenë liderja e grupit”.

Gjatë bisedës ajo ka dhënë edhe disa mesazhe: Jam më e fortë se kurrë, thotë me bindje ajo. Në momentin që fola për çështjen time, unë humba miq, shton Ajsi.

“Kam nostalgji për artin tim", thotë Ajsi, teksa sheh disa video nga koha e “Kripmjatëzave”. Dhe ajo tregon se me asnjë nga ish-miqtë e grupit nuk flet sepse nuk e kishte përkrahjen gjatë asaj situate që ndodhi.

Por, si është Ajsi sot?

"Jam një tip shumë pak social dhe ndaj imazhit që kam krijuar vihem në siklet sepse më duhet ta sqaroj. Unë jam 22 vjeç dhe jam e hapur për të pasur një lidhje dashurie, por akoma nuk ka ndodhur sepse kam dëshiruar të mbarojë shkollën, por mendoj se do vijë ai person, i duhur për mua”, tregon Ajsi.

Gjatë intervistës, ajo ka folur gjithashtu për studimet dhe pasionin që vijon të ndjekë për aktrimin: "Mendova se gjëja më e mirë është administrim social sepse mësimet e aktrimit unë i kisha marrë që në moshën 8-vjeçare, ndaj mendova se duhet të kisha një plan B. Zemrën dhe kokën e kam dhe do ta kem tek arti dhe tv. Në Agon ishte eksperiencë shumë e mirë, kryesova audicionin me 380 veta dhe fitova vendin e punës. Pas mbylljes së Agonit kam pasur oferta, por nuk dua, sepse televizioni do kohë. Unë jam shumë e aftë në aktrim, ndaj i jam fokusuar aktrimit. Jemi në proces xhirimi për filmin "Jeto Ndryshe", me Drilon Hoxhën, ku kam rol protagonist".

E pyetur nga moderatorja Jonida Shehu se a e mbajnë mend Ajsin njerëzit, ajo përgjigjet: "Njerëzit ndahen në kategori. Ka nga ato persona që më njohin si Ajsi e “Kripmjaltëzave”, ata që nuk më mbajnë mend, ata që e lidhin imazhin tim me ngjarjen e ndodhur, ata që më kanë dhënë pozitivitet e ata që pavarësisht se kanë shumë halle nga shtëpia e tyre, sërish merren me mua”.

Në fund të intervistës së saj, ajo thotë: “Jam shumë e lodhur me këtë histori, ndaj kam qëndruar në hije sepse edhe nëse unë bëj diçka shumë të bukur, sërish ata merren me historinë e kaluar. Fakti që mua më ndodhi një fatkeqësi në jetë, nuk do të thotë që do i ndodhë të gjithëve, ndaj prindërit duhet të ndjekin talentet e fëmijëve të tyre. Por, jo të krijohet një marrëdhënie aq e ngushtë midis prindërve dhe kreut të grupit, siç ndodhi me mua”.

Article Logic
Execution time: 0.0041768550872803