INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Deputeti Tavo zbulon

Deputeti Tavo zbulon "skandalin" dhe mohon akuzat për femijët e Ansamblit të Dropullit

Publikuar më: 20:31 11-06-2017

Ansambli i Dropullit mungoi mbrëmjen e djeshme në festivalin për inagurimin e Sheshit “Skënderbej”, dhe akuza e parë erdhi nga PDIU, e cila tha se bojkoti erdhi për shkak të pranisë së ansamblit çam në festival.

Sot në media të ndryshme në internet u përhap një tjetër teori, se ka qenë deputeti i LSI, Vangjel Tavo, ai që ka urdhëruar mospjesëmarrjen e ansamblit dropullit, por deputeti i Gjirokastrës jo vetëm që mohon akuzat por zbulon edhe atë çka mund të jetë një super skandal i paprecedent.

Sipas Tavos, fëmijët e vegjël të ansamblit të Dropullit janë marrë në polici, ku edhe janë intimiduar të pohojnë këtë dëshmi të rreme.

REAGIMI I PLOTË I VANGJEL TAVOS:

Drejtori i Policisë së Gjirokastrës, bashkë me kandidaten e PS Artemisa Dralo kanë nisur të luajnë rolin e hetuesve e të terrorizojnë e shtyjnë fëmijët e asamblit të Dropullit të deklarojnë që ishte Deputeti Vangjel Tavo që i pengoi të merrnin pjesë në ceremoninë e hapjes së sheshit Skënderbej në Tiranë.

Fëmijë të vegjël të moshave 9-10-11 apo 12 vjeç janë thirrur e intimiduar të pohojnë që deputeti Tavo i ka ndaluar të marrin pjesë në ceremoni. Pavarësisht presioneve fëmijët kanë treguar të vërtetën që Vangjel Tavo nuk ka asnjë gisht në këtë histori.

Ky është një skandal dhe turp i paprecendent. 

Mendoja se ishin të frikësuar nga humbja ndërsa tani e kuptoj që qenkan tërësisht të dështuar dhe nuk meritojnë të përfaqësojnë as edhe një zë të vetëm të njerëzve të thjeshtë!

Mendoja se fushata elektorale ishte përballje idesh tani po kuptoj që me paturpësinë më të madhe janë bërë ambasadorë të shpifjes, gënjeshtrës dhe nxitjes së konfliktit etnik.

Mos bini pre e gënjeshtarëve dhe pinokëve pa integritet. Largojini përgjithmonë sharlatanët që po mundohen të shkatërrojnë vlerat e trevës gjirokastrite e që të shtyrë nga frika e humbjes së rëndë politike trillojnë konflikte përçarëse anti-kombëtare dhe anti-shqiptare.

Unë kam që nga dita e enjte e do vazhdoj edhe sot e nesër të bëj takime me komunitete të ndryshme emigrantësh në Greqi, me ata njerëz punëtorë të cilët me duart e tyre kanë ndërtuar Shqipërinë ndërsa ata që kanë mision ta shkatërrojnë Shqipërinë e ta mbajnë peng të ardhmen e vendit e që frikësojnë fëmijët tanë vazhdojnë të vrasin shpresën se ky vend mund të bëhet një ditë.

Emri i Vangjel Tavos është i dashur për çdo shtëpi ndaj është bërë edhe makth për humbësit e 25 qershorit. Çdo ditë komplotojnë kundër meje dhe nuk kanë burrërinë dhe fisnikërinë të bëjnë një fushatë politike por me dredhëri e paturpësi prodhojnë gënjeshtra e nxisin konflikte etnike. Tentuan të përdorin Labërinë dhe nuk i eci siç e menduan, tashmë po përdorin intimidimin policor dhe interrogatues ndaj fëmijëve. Merruni me burrat jo me fëmijët.

Sepse burrërisht ju pres me 25 qershor ditën e fitores sonë të madhe, dhe humbjes tuaj shumë e shumë të thellë.

LSI është forcë e parë në qarkun e Gjirokastrës. Ky fakt ju ka frikësuar e drithëruar. 

Mos terrorizoni më fëmijët dhe mos nxisni konflikt etnik.

Kam një lajm për ju. Jeni të humbur. Jo që sot, por që dje. Kur filluat të trilloni paturpësisht duke ofenduar krenarinë dhe intelektin e qarkut të Gjirokastrës.

Edhe pak ditë dhe humbja juaj do bëhet zyrtare.

Vangjel Tavo

Article Logic
Execution time: 0.0042181015014648