INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Dervishaj prezanton buxhetin: Asnjë pagesë për akset rrugore, në 2017

Dervishaj prezanton buxhetin: Asnjë pagesë për akset rrugore, në 2017

Publikuar më: 17:03 07-12-2016

Ministri i Transportit dhe Infrastrukturës Sokol Dervishaj ka prezantuar buxhetin e Ministrisë për vitin 2017, në Komisionin për Ekonominë dhe Financat. Ministri Dervishaj tha se ky buxhet është në rritje krahasuar me atë të vitit të kaluar, por nuk i përmbush nevojat që ka infrastruktura e vendit. Sipas kreut të Transportit për vitin 2017, nuk është parashikuar vendosja e pagesës për asnjë aks rrugor.
“Për vitin 2017, vëmendje do të marrë përmirësimi i sinjalistikës rrugore, ku fillon implementimi i një projekti me Bankën Botërore, me vlerë 150 milion USD i shtrirë në një përiudhë 5 vjeçare”-bëri të ditur Dervishaj.
Duke u ndalur te akset kombëtare rrugore, Ministri Dervishaj tha se synohet përfundimi i disa projekteve që kanë kohë që kanë filluar, si rruga Tiranë-Elbasan, Unaza e Madhe Tiranës një pjesë, Bypassi i Fierit etj.
“Për Rrugën e Arbrit,ka ardhur një ofertë e pranueshme në terma financiar nga një kompani shqiptare për ta ndërtuar me konçesion, por jemi ende në fazën fillestare të procesit”-deklaroi ministri. Ai shtoi se ministria është në përfundim të negorcimit të kontratës me firmën që ka fituar konçesionin e mirëmbajtjes për segmetin e rëndësishëm rrugor Milot- Morinë. Kontratë kjo që parashikon jo vetëm mirëmbajtjen por edhe përfundimin e gjithë aksit rrugor dhe veprat e papërfunduara. Ministri sqaroi edhe situatën me bypassin e Fierit, duke thënë se aktualisht është duke u punuar me ritme të kënaqshme, dhe para verës 2017, synohet përfundimi i korsisë kryesore.
Interesimit të deputetëve për reformën e Ujit dhe sektorit të Ujësjellës Kanalizimeve, Dervishaj iu përgjigj duke thënë se në 2017, do të përfundojnë disa vepra të rëndësishme. Ndërkohë reforma e Ujit, do të vijojë më fazën e dytë, që parashikon inventarizimin e aseteve dhe dorëzimin te bashkitë, dhe nënshkrimin e kontratave të performancës.
Viti 2017 do të sjellë ndryshime rrënjesore edhe në transportin rrugor, ku pritet të fillojë ndërtimi i linjës hekurudhore Tiranë-Rinas-Durrës.

Article Logic
Execution time: 0.0037920475006104