INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Dëshironi të rritni normat e lindjeve? Provoni barazinë gjinore

Dëshironi të rritni normat e lindjeve? Provoni barazinë gjinore

Publikuar më: 14:01 11-07-2019

Nga Alanna Armitage dhe Tomas Sobotka

Shumë vende në Evropën Lindore po përballen me atë që perceptohet shpesh si një krizë popullsie. Njerëzit me kualifikim të lartë të moshës riprodhuese po i lënë vendet e tyre për të kërkuar mundësi më të mira diku tjetër. Ndër ata që qëndrojnë, norma e lindjeve është nën dy fëmijë për grua; në disa vende, ajo është më afër njëshit.
Këto trende kanë ngritur alarm mes politikanëve dhe publikut të gjerë. Frika është se largimi dhe shkalla e ulët e lindjeve do të çojnë në kombe më të vogla, më të vjetra dhe më të dobëta.
A është e justifikuar kjo frikë? Në një farë mase, po. Rënia e shpejtë e popullsisë dhe plakja mund të paraqesin sfida serioze, veçanërisht nëse vendet, për arsye ekonomike apo ideologjike, nuk mund të tërheqin emigrantë për të kompensuar humbjet demografike. Në raste të tilla, numrat më të ulët të popullsisë mund t’i vënë në vështirësi ekonomitë, sistemet sociale dhe infrastrukturën në zonat më pak të populluara.
Megjithatë, shqetësimi më i madh rreth këtyre ndryshimeve demografike është i rrënjosur në nocione të vjetra të kombit dhe të pushtetit. Sot, në Ditën Botërore të Popullsisë është e rëndësishme të theksohet se, në shoqëritë bashkëkohore, nuk ka rëndësi numri i popullsisë. Ajo që ka rëndësi është kapitali njerëzor i një popullsie - arsimimi dhe shëndeti i saj, produktiviteti dhe potenciali inovativ. Vende si Gjermania apo Japonia kanë pasur norma shumë të ulta të lindjeve për dekada të tëra dhe përsëri kanë vazhduar të lulëzojnë. Vende të vogla si Zvicra apo Norvegjia e kanë tejkaluar vazhdimisht peshën e tyre.
Kjo gjë na tregon se fiksimi tek numrat që shohim në rajon, apo tek normat e lindjeve në veçanti, është joproduktiv. Shumica e shkencëtarëve pajtohen se nuk ka një normë optimale të fertilitetit dhe se, në çdo rast, rritja e nivelit të lindjeve nuk është një rregullim i lehtë.
Studimet tregojnë se programet tradicionale që u ofrojnë prindërve një formë nxitjeje financiare për të pasur më shumë fëmijë, në përgjithësi, kanë efekt të përkohshëm. Njerëzit mund të zgjedhin që të kenë një fëmijë më herët se sa e kishin planifikuar vetëm që të marrin paratë e stimulit, gjë që fillimisht mund të çojë në rritjen e numrit të lindjeve. Por, gjithsesi, ata nuk do të kenë domosdoshmërisht një familje më të madhe, kështu që normat e lindjes në afat të gjatë mbeten pothuaj të pandryshuara. Kjo nuk është për t'u habitur: madje edhe stimujt më bujarë financiarë do të mbulonin vetëm një pjesë të vogël të kostove totale të rritjes së fëmijës.
Përveç kësaj, pa ndryshime në mjedisin e përgjithshëm, çdo përfitim potencial do të thotë vetëm shtim i më shumë të rinjve në grupin e atyre që nuk mund të gjejnë një punë të mirë ose nuk mund të shohin një të ardhme afatgjatë në vendin e tyre, ndaj shkojnë diku tjetër, duke marrë me vete edhe të gjitha investimet publike që janë bërë për arsimimin e tyre.
Një rrugë më premtuese për vendet e Evropës Lindore është të përqendrohen në një fakt shpesh të neglizhuar: shumica e njerëzve në rajon në të vërtetë dëshirojnë dy ose më shumë fëmijë. Arsyet pse nuk mund t'i realizojnë qëllimet e tyre riprodhuese janë çelësi për gjetjen e zgjidhjeve për krizën e popullsisë në rajon.
Aty ku të rinjtë nuk janë të sigurt për të ardhmen e vendit dhe perspektivat e tyre për punë, të kesh fëmijë është financiarisht me risk, sidomos duke pasur parasysh rrjetet e dobëta sociale në rajon. Papunësia e lartë e të rinjve, pagat e ulëta - sidomos për gratë - dhe tendenca drejt marrëveshjeve më të paqëndrueshme të punës nuk ndihmojnë.
Një tjetër faktor kryesor është mungesa e mbështetjes për gratë që punojnë, pritshmëria për të cilat është të kujdesen për fëmijët dhe familjen. Kujdesi publik për fëmijët e vegjël nën moshën tre vjeçare është mjerisht jo e duhura në Evropën Lindore dhe marrëveshjet e punësimit janë të ngurta, duke detyruar shumë gra të zgjedhin mes fëmijëve dhe karrierës.
Kjo do të thotë që, në mënyrë që qeveritë të jenë të suksesshëm në rritjen e nivelit të lindjeve afër dëshirave të njerëzve - dhe të ofrojnë alternativa të tjera për të shmangur largimin – ato duhet të krijojnë një mjedis ku të rinjtë të jenë të sigurt të planifikojnë të ardhmen dhe të krijojnë familje.
Kjo kërkon progres në qeverisjen e mirë, duke i bërë ekonomitë më konkuruese dhe duke ia përshtatur aftësitë individuale kërkesave të tregut të punës. Po ashtu kërkon hartimin e një sërë politikash specifike që i përgjigjen nevojave të familjeve, grave, burrave dhe fëmijëve.
Ekziston një konsensus i gjerë mbi atë se çfarë duhet të jetë pjesë e një pakete të tillë politikash: Cilësia dhe kujdesi i përballueshëm për fëmijët që në moshë të hershme; leja prindërore fleksibël dhe e pagueshme për të dy prindërit (duke nxitur burrat që të marrin atë që kanë të drejtë); marrëveshje fleksibël pune dhe sigurim i pagës së barabartë për grate; programe për të inkurajuar burrat dhe gratë që të ndajnë në mënyrë të barabartë kujdesin dhe punën shtëpiake; dhe strehim i përballueshëm dhe mbështetje financiare për familjet me të ardhura të ulëta.
Vende si Suedia tregojnë se zbatimi i këtyre politikave mikse mund të funksionojë në mbajtjen e normave më të larta të lindjeve. Estonia ka shkuar më tej në rihartimin radikal të politikave të lejes prindërore dhe ka zgjeruar në mënyrë të konsiderueshme arsimin e hershëm të fëmijëve. Disa vende në Evropën Lindore kanë hyrë në këtë udhëtim, me mbështetjen e UNFPA, Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë dhe partnerëve të saj.
Nuk do të jetë e lehtë. Përdorimi i burimeve të pakta për politika familjare ka të ngjarë të shkaktojë rezistencë, ashtu si edhe transformimi i domosdoshëm i normave tradicionale shoqërore dhe stereotipeve për rolet e burrave dhe grave në shoqëri.
Tejkalimi i këtyre pengesave do të kërkojë udhëheqje të fortë politike dhe gatishmëri për ndryshime. Por përfitimet potenciale janë masive - dhe shkojnë shumë përtej rritjes së normave të lindjeve. Sepse kur të rinjtë kanë besim në të ardhmen e tyre dhe kur gratë marrin pjesë plotësisht në të gjitha sferat e shoqërisë, pa hequr dorë nga lindja e fëmijës, vendet do të rriten jo vetëm në numër, por edhe në mundësi, stabilitet dhe prosperitet për gjeneratat që do të vijnë.

Alanna Armitage është Drejtore e Zyrës Rajonale të Fondit të Kombeve të Bashkuara për Popullsinë për Evropën Lindore dhe Azinë Qendrore.
Tomas Sobotka drejton grupin kërkimor mbi fertilitetin dhe familjen në Institutin e Demografisë në Vjenë, Akademia Austriake e Shkencave.

Article Logic
Execution time: 0.0044469833374023