44-vjeçarit, Fatmir Kuçi, i cili akuzohet se ka goditur për vdekje, me skaf, një turist rus në plazhin e Himarës ka dëshmuar në polici. Biznesmeni nga Elbasani tha se nuk e ka goditur ai Denis Kaiumov, por thjesht ka ndaluar për t’i dhënë ndihmë. “Pashë një person që kërkonte ndihmë dhe shkova për ta ndihmuar. Ndodhej rreth 800 metra larg bregut”, ka thënë Kuçi.
Nga ana tjetër burime nga policia kanë thënë, për Tv.Klan se biznesmeni, nisur edhe nga fuqitë motorike të mjetit lundrues, nuk ka pasur miratimin për të dalë në lundrim dhe duhet të njoftonte, pasi kjo është procedurë detyruese ndaj policisë. Dokumentet e tjera për këtë mjet lundrues biznesmeni nga Elbasani i ka pasur në rregull.