Gjyqtarja Fildise Hafizi, ka dëshmuar dy vjet më parë se e kishte falur burrin për hir të fëmijëve. Në dëshminë e plotë dhënë në vitin 2015, kur ish-bashkëshorti i parë tentoi ta vriste në një lokal në Golem, gjyqtarja rrëfen dhunën e ushtruar ndaj saj. Hafizi, e cila u ekzekutua sot nga ish-bashkëshorti në Tiranë, shprehej e shqetësuar dhe ndihej e kërcënuar nga ish-bashkëshorti Fadil Kasemi, raporton “Panorama”. 37-vjeçarja ka deklaruar se ish-burri e kishte kërcënuar edhe më parë me pistoletë, duke i shkuar në shtëpi. Ndërsa pasi e kishte denoncuar dhe kishte kërkuar urdhër mbrojtjeje, ajo ishte tërhequr nga padia për shkak të fëmijëve. Hafizi ka deklaruar po ashtu se i shoqi pinte dhe luante bixhoz dhe për këtë arsye kishte vendosur të divorcohej me të, duke fituar vetë kujdestarinë e fëmijëve.