Sezoni turistik është dhe periudha më e "mirë" për hajdutët. Numri i madh i turistëve sjell dhe rritjen e numrit të viktimave të tyre. Por nuk i ka ndodhur ashtu siç e parashikonte një hajduti në jug të vendit, e më konkretisht në Ksamil.
Gjatë ditës së djeshme, vjedhja ka mbetur në tentativë, pasi autori u përlesh me një shtetas italian, turist në Ksamil. Por, edhe këtë herë, hajduti arriti të largohej me shpejtësi, pa u ndaluar, as nga pushuesit e as nga policia, por pa mundur që ta grabisë.
Ngjarja ka ndodhur në rrugën “Osman Taka” në qytezën turistike të Ksamilit. Burime nga kjo zonë raportuan një tentativë grabitjeje në një shtëpi, të lëshuar me qira për turistët gjatë sezonit të plazhit.
Pushuesi ishte një shtetas italian me inicialet L.M., 45 vjeç. Ky i fundit ka pikasur një person, në moshë të re, i cili u fut në oborrin e shtëpisë e më pas në brendësi të saj. Autori mbante në kokë një kapele, ndërsa nën bluzë një thikë. Italiani i ka thirrur për të ndaluar në veprimet e tij hajdutin, por ky i fundit ka reaguar duke i nxjerrë thikën.
Me shkathtësi i huaji ka mundur ta ndalojë, duke u përleshur me autorin, i cili ka arritur që në një moment t’i shpëtojë dhe të largohet me shpejtësi. Ndërsa vraponte, hajdutit i ka rënë kapela dhe thika, por ai nuk është ndaluar që t’i marrë nga frika se mos kapej nga pushuesi. Menjëherë u lajmërua policia e zonës dhe në Ksamil u nis një grup hetimor, i cili ka nisur punën për të zbardhur ngjarjen. Kapela dhe thika e autorit u bllokuan si provë dhe pritet që t’i nënshtrohen ekspertizës për të provuar nëse është përdorur dhe në ngjarje të tjera.