Më shumë se asnjëherë shqiptarët i janë drejtuar këto ditë Francës, kryeqytetit të futbollit europian për një muaj. Mësohet se një numër i konsiderueshëm qytetarësh shqiptarë pritet të ndjekin nga afër rrugëtimin e kombëtares së futbollit në europian, ndaj ditët e fundit në pikat kufitare të vendit është vërejtur një rritje e udhëtarëve me destinacion Francën.
Në bazë të statistikave të Policisë Kufitare, raportohet se për 9 ditët e para të qershorit, numri i udhëtarëve që kanë lënë vendin është shtuar me mbi 2 mijë persona. Por numri i qytetarëve shqiptar që do të ndjekin kombëtaren nga afër në europian mendohet të jetë edhe më lartë.
Kryesisht, thonë burime nga policia, udhëtimet janë kryer nga Aeroporti i Rinasit, por janë konsatuar edhe udhëtime të organizuara në grup përmes rrugëve tokësore. Kështu, përveç mbështetjes së shqiptarëve që jetojnë në Francë apo shtetet fqinje, kombëtarja pritet të ketë në krah edhe qytetarë të cilët janë nisur enkas nga Shqipëria.