Greqia prej orësh po lufton me flakët, kryeministri i vendit, Alexis Tsipras, ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme dhe ka kërkuar ndihmë nga Europa.
Deri më tani raportohen mbi 50 të vdekur dhe me qindra të plagosur.
Por bilanci pritet të jetë më i lartë pasi situata është e rëndë.
Sipas raportimeve të shqiptarëve nga vendi fqinjë mes viktimave 5 janë shtetas shqiptarë, tre prej tyre janë burra dhe kanë humbur jetën teksa kanë qenë duke punuar në një restorant, ndërsa dy të tjerët janë fëmijë.
Gjithashtu flitet se dhe një djalë nga Tepelena është djegur në makinën e tij, pa mundur të shpëtoj.
"Kemi pasur shumë ndihmë nga ambasada. Janë interesuar deri vonë në orët e mbrëmjes.
Zjarret kanë rënë kudo në Athinë në të gjitha anët.
Kam parë gra dhe fëmijë që vuajnë dhe digjen është diçka që nuk përshkruhet me fjalë, kam parë masakër me sy" shprehet njëri nga shtetasit shqiptarë që i ka shpëtuar flakëve.
"700 banesa janë djegur, shumë njerëz humbën jetën, pashë një fëmijë dy muajsh, që humbi jetën nga zjarri. 10 banesa të shqiptarëve janë djegur nga zjarri.
Një familje shqiptare erdhi më kërkoi ndihmë dhe më tha u dogj çdo gjë. Ajo tha u futëm në det dhe erdhën anijet na morën. Një burrë më tha po rrija në ballkon, u hodha në det për të shpëtuar.
Në një parti u dogjën 25 persona. Shqiptarë nuk e dimë akoma a ka të vdekur, nuk e kemi marrë vesh akoma. Skenat janë si në filma.
Situata nuk është aspak e mirë, po gjenden shumë njerëz të vdekur", raporton një tjetër.
Të tjera detaje të dhimbshme vijnë dhe nga Kryqi i Kuq, i cili njofton se 26 trupa të pajetë janë gjetur në oborrin e një vile, në fshatin bregdetar të Matit në Athinë.
Ndërsa fati i 11 turistëve që në momentin e ngjarjes kanë qenë në një bark nuk dihet ende.
Sipas informacioneve të para dyshohet se zjarri ka qenë i qëllimshëm nga disa hajdutë që kanë grabitur disa banesa të braktisura, megjithatë kjo pritet të verifikohet.
Flakët e zjarrit janë ndihmuar nga temperaturat e larta, 41 gradë celsius dhe era e fortë, rreth 80km/h.