INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
DETAJE/ E përshëndeti me dorë para se ta qëllonte, kamerat kapin vrasësin e avokatit, por nuk...

DETAJE/ E përshëndeti me dorë para se ta qëllonte, kamerat kapin vrasësin e avokatit, por nuk...

Publikuar më: 12:10 24-03-2019

Edhe pse kanë kaluar 2 ditë nga atentati i avokatit në Elbasan, ende nuk ka asnjë të dyshuar. Ravik Gurra, prej 10 vitesh avokat, u qëllua me dy plumba në kokë, ndërsa ishte ulur për të konsumuar kafe në një lokal bashkë me një përfaqësues të Avokatit të Popullit.

Për ekzekutimin e 50-vjeçarit, autori i maskuar me një kapele ka përdorur një pistoletë me silenciator. Nga rindërtimi i ngjarjes, autori i është afruar qetësisht Gurrës dhe më pas e ka qëlluar pas koke dhe më pas është larguar me shpejtësi. Për të mos krijuar dyshime, autori, në momentin që është drejtuar për te tavolina ku qëndronte Gurra, e ka përshëndetur me dorë.
Kamerat e sigurisë kanë arritur të kapin autorin, por Policia dhe Prokuroria deri tani nuk kanë qenë në gjendje të bëjnë identifikimin e tij, shkruan Panorama.

Hetimet për zbardhjen e vrasjes së Ravik Gurrës i kanë kaluar Prokurorisë për Krimet e Rënda në Tiranë, pasi bëhet fjalë për ekzekutim të funksionarëve publikë. Grupi hetimor që po punon për zbardhjen e vrasjes mafioze, ende nuk ka një të dyshuar konkret, ndërkohë që për t’u marrë në pyetje janë shoqëruar shumë persona. Ngjarja ndodhi në qendër të qytetit, ku ndodhen dhe shumë institucione publike. Gjithçka ka qenë shumë e shpejtë sa dhe miqtë e tij dhe dëshmitarë në ambientet e jashtme të lokalit kanë menduar se avokatit i kanë rënë të fiktë kur e panë të shtrirë në tokë.

Por shumë shpejt është kuptuar nga gjaku që ai është vrarë. Akti ka qenë shumë i shpejtë dhe i mirë organizuar sa dëshmitarët nuk kanë mundur të bëjnë një identikit të autorit, i cili, duke përfituar nga errësira, është larguar me ecje të shpejtë.

Dyshohet se një mjet tip “Benz” e ka pritur atentatorin jo shumë larg vendit të ngjarjes. Më pas, autorët kanë djegur makinën në afërsi të fshatit Karakullak, pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit për të zhdukur çdo gjurmë. Autori është fiksuar nga kamerat e sigurisë, por deri tani nuk është bërë i mundur identifikimi i tij për shkak se në kokë ai mbante një kapele, gjë e cila bën që të mos i shquhet fytyra. Hetuesit kanë sekuestruar dhe kamerat e sigurisë përgjatë itinerarit që autorët kanë përdorur për t’u larguar në mënyrë që të arrijnë në identifikimin e autorit dhe bashkëpunëtorëve të tij. Ka dyshime të forta se autori është paguar, ndërsa konsiderohet vrasje për shkak të detyrës.

Kolegë të Gurrës në Shqipëri shprehen të befasuar për ngjarjen pasi vetë 50- vjeçari nuk u kishte shprehur atyre asnjë shqetësim. Ndërsa banorët e Elbasanit që kishin njohje me avokatin shprehen të indinjuar për ngjarjen. “Turp ku jetojmë, turp çfarë njerëzish po edukojmë, po vritemi në mes të rrugës dhe asnjë nuk na mbron”. Këto janë disa nga komentet e opinionit elbasanas në këtë ditë të vrasjes së avokatit. Ndërkohë që nga mbrëmja e së premtes e në vijim, qyteti është blinduar nga Policia dhe forca të RENEA-s, të cilët kanë ushtruar kontrolle në banesa në akse të ndryshme dhe në lagje të qytetit.

Article Logic
Execution time: 0.0037980079650879