Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit ka kallëzuar penalisht kryetarin e Bashkisë së Kavajës, Isa Sakja me akuzën e shpërdorimit të detyrës.
Sipas IKMT, së bashku me Kryetarin e Bashkisë, është kallëzuar penalisht edhe drejtoresha e Drejtorisë së Kontrollit, Zhvillimit Urbanistik dhe Pronave, Dëshira Qato si dhe Kryeinspektori i Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit (IMT) Bashkia Kavajë, Dritan Kazazi.
“Gjatë kontrolleve periodike që ushtron IKMT në bazë të ligjit në të gjitha bashkitë e vendit, ka vërejtur se në Bashkinë e Kavajës, personat e akuzuar, duke vepruar, apo mosvepruar në dhënien e lejeve të ndërtimit, apo kontrollit të ligjshmërisë, kanë cenuar interesin publik dhe territorin publik në të paktën shtatë objekte shumëkatëshe të ngritura në territorin e bashkisë Kavajë”, bëhet me dije në njoftimin e IKMT.