Një dhëndër nga Fieri ka gjetur një mënyrë shumë interesante dhe origjinale për të marrë nusen e tij.
Dhëndri me profesion ndërtues, vendosi të marrë nusen me vinç. Por, jo një, po katër vinça të dekoruar parakaluan në rrugët e qytetit pasi ishte marrë leja përkatëse në komisariat.
Pamje tepër të veçanta në rrugët e qytetit të Fierit, kanë tërhequr vëmendjen e kalimtarëve të rastit.
Të stolisur me simbolet e dasmës, katër vinçat për rreth një orë dhuruan spektakël paraditen e së dielës.
Çifti i sapo martuar qëndronte në vinçin e parë i shoqëruar edhe nga 3 vinça të tjerë. Ideja për të bërë diçka ndryshe ishte e babait të dhëndrit, pasi at e bir punojnë si vinçierë. Ai thotë se donte t’i bënte një dhuratë surprizë të birit.
Kjo është çudia radhës në qytetin e Fierit, pasi më parë një tjetër nuse është transportuar me 8 kamionë gjatë ceremonisë së dasmës.