Dhuna në familje nuk ka të ndalur në vendin tonë. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit në kryeqytet janë evidentuar 3 raste të dhunës në familje, ndërsa uniformat blu kanë vënë në pranga 3 persona. Nëna, vëllai dhe bashkëshortja kanë rënë pre e 3 shtetasve në kryeqytet, por tashmë kanë rënë në pranga të policisë së Tiranës. Nga të dhënat e uniformave blu, të arrestuarit janë Ilir Shahini, 42 vjeç, Ardit Neli, 28 vjeç dhe Fatush Peposhi, 27 vjeç.
Njoftimi i Policisë:
“Të arrestuarit dhe akuzat:
Ilir Shahini, 42 vjeç, banues në Tiranë, pasi për motive të dobëta ka ushtruar dhunë fizike dhe psikologjike ndaj të ëmës, shtetases F.Sh.,68 vjeçe.
Gjithashtu gjatë kontrollit të ushtruar në banesë iu gjet dhe një thikë në kushtet e armës së ftohtë pa leje.
Ardit Neli, 28 vjeç, banues në Tiranë, u arrestua pasi në banesë ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes, shtetases N.B., 25 vjeçe.
Fatush Peposhi, 27 vjeç, banues në Laknas u arrestua pasi në oborrin e banesës për motive të dobëta, ka goditur me thikë në kurriz vëllain, shtetasin M.P., 24 vjeç.
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësorë Tiranë në ngarkim të shtetasit I.Sh., për veprat penale “Dhunë në familje” dhe “Armëmbajtje pa leje”, parashikuar nga nenet 130/a dhe 279 të Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit A.N., për veprën penale “Dhunë në familje”, parashikuar nga neni 130/a i Kodit Penal, dhe në ngarkim të shtetasit F.P., për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje” dhe “Dhunë në familje”, parashikuar nga nenet 89 dhe 130/a të Kodit Penal.