Këtë të dielë zgjedhore, janë shënuar disa incidente nga më të lehtat deri në të rënda. Që në orët e para të mëngjesit sherri i parë është shënuar në kryeqytet, ku në Qëndrën e votimit pranë zonës së fushës së aviacionit me Nr. 1886/1, ka pasur një konfrontim fizik mes komisionerëve. Shkak për përplasjen është bërë shoqërimi i personave të moshuar nga familjarët e tyre për të votuar.
Dy ngjarje dhe më të rënda janë raportuar në qarkun e Lezhës ku në Shëngjin është është goditur me tytën e pistoletës një simpatizant i LSI. Mësohet se në sherr më pas janë përfshirë dhe persona të tjerë. Ai quhet Florian Bushku dhe acarimi i situatës në këtë qytet çoi atje edhe Ilir Metën. Më pas në Tale të Lezhës Eden Trokthi ka tentuar të shtypë me makinën e tij dy persona.
Edhe në qarkun e Elbasanit kanë ndodhur disa incidente, vëzhgues i PS Arben Kërçyku është dhunuar brutalisht, me plagë që e kanë detyruar të përfundojë në urgjencën e spitalit rajonal. Një tjetër përplasje mes përfaqësuesve partiakë është shënuar në një qendër votimi në Cërrik.
Mirela Muçaj, komisionere e PS-së, ka bërë kallëzim penal ndaj një personi që e ka dhunuar teksa monitoronte procesin zgjedhor.
Ndërsa LSI ka denoncuar dhe një ngjarje tjetër të rëndë në mesditë ku nëpër qendra votimi në Shijak përgjatë gjithë ditës kanë qarkulluar persona me makina të blindura dhe të armatosur. Edhe në Vorë janë përleshur me thika vëzhguesit e një qëndër votimi. Mësohet se dhuna është ushtruar jashtë derës së qëndrës së votimit. Policia ka shoqëruar në komisariat dy persona për të verifikuar shkaqet e ngjarjes së rëndë.
Një incident ka ndodhur dhe në KZAZ-së numër 41 në Tiranë, ku Luljeta Lleshi e propozuar nga PS-ja është përjashtuar nga komisioni pasi dyshohet të ketë futur fletë votimi nga jashtë.
Pasdite tensioni është rritur, një ngjarje e rëndë në Kukës, ku është shtënë më armë zjarri në lokalin e simpatizantit të LSI.