Granit Xhaka është një ndër mesfushorët që po kalon një formë shumë të mirë, ku në 3 ndeshjet e fundit ka shënuar 2 gola, jo thjesht gola por spektakolarë. Sot është një ditë shumë e veçantë për të, sepse feston 24 vjetorin e lindjes. E veçantë do të jetë edhe dita e nesërme, pasi do të përballet në Champions League, me ekipin ku u formua si futbollist, Basel dhe me vëllain e tij Taulantin. Ashtu si në Europian, edhe tani përballja mes vëllezërve Xhaka është përfolur shumë në mediat e huaja, për të cilën ka folur edhe trajneri i Arsenal, Arsene Wenger.
Nëse Graniti do dëshironte si dhuratë për ditëlindje fitoren, Taulanti nuk e ka ndërmend të ia dhurojë. Ky i fundit ka postuar një foto në rrjetet sociale në të cilën shkruan se mezi po pret ndeshjen ndaj Arsenal dhe gëzohet që do takojë vëllain, por Basel do dalë fitimtar nga fusha.
Më pas para se të nisej për në Londër, postoi një foto tjetër në të cilën uroi vëllain për ditëlindjen e tij.
E menjëhershme ishte përgjigja e Granitit. “Taulant dhe Basel, i’u uroj një mirëseardhje të ngrohtë në Londër, por 3 pikët do të qëndrojnë në ishull”.
Gëzuar ditëlindjen Granit! Fitoftë më i miri nesër!