Ndryshimi i formatit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel do ta kthente procesin prapa, vlerësojnë njohësit e zhvillimeve politike në Kosovë.
Dialogu i deritashëm në Bruksel, për formatin e të cilit që në fillim ishin pajtuar të dy vendet, është zhvilluar me lehtësimin e Bashkimit Evropian dhe me mbështetjen e fuqishme nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Por, së fundmi për liderët institucional të Kosovës, roli i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në këtë dialog është vlerësuar i pamjaftueshëm. Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj kanë kërkuar përfshirjen aktive të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në dialogun e Brukselit.
Njohësit e zhvillimeve politike, vlerësojnë se kjo ka bërë që palët e përfshira në dialog, jo rrallë t’i interpretojnë ndryshe nga njëra-tjetra marrëveshjet dhe të mos pajtohen lidhur me to.
Sidoqoftë, pavarësisht se në disa raste autoritetet e të dyja vendeve Kosovës dhe Serbisë, kanë deklaruar se një marrëveshje ligjërisht obliguese do të duhej të arrihej deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit të ardhshëm, të dyja palët vazhdojnë të mbajnë qëndrime skajshmërisht të kundërta lidhur me zgjidhjen e problemeve që do të çonin në normalizimin e tërësishëm të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve.