INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Dialogu i munguar Kosovë-Serbi përplas ashpër Thaçin me Vuçiç në Bratislavë

Dialogu i munguar Kosovë-Serbi përplas ashpër Thaçin me Vuçiç në Bratislavë

Publikuar më: 15:41 07-06-2019

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe homologu i tij serb Aleksandër Vuçiç janë përballur ashpër në Bratislavë, për herë të parë pas samitit të Tiranës në një forum sigurie. Të dy liderët ishin pjesëmarrës në një panel diskutimi në Sllovaki, që përbëhej nga ekspertë dhe diplomatë të ndryshëm. Presidenti Thaçi ishte i pari që përmendi dialogun Kosovë-Serbi duke deklaruar se për aq kohë sa Beogradi do të vazhdojë të vendosë kushte, bisedimet nuk do të rinisin. “Nuk do të ketë vazhdim të dialogut nëse Serbia vazhdon të kushtëzoj Kosovën në këtë proces”, tha Thaçi.

Si kundërpërgjigje, Presidenti Aleksandër Vuçiç ka fajësuar Kosovën për mos përmbushjen e marrëveshjeve të arritura në Bruksel. “Janë bërë 6 vite prej kur është nënshkruar marrëveshja e Brukselit, por ndërkohë që Serbia i ka përmbushur me përpikmëri kriteret e kësaj marrëveshje, Kosova nuk e ka krijuar ende Asosacionin e Komunave Serbe dhe kanë kaluar 6 vite tashmë”, tha Vuçiç.
Reagimi i Presidentit Thaçi ishte i menjëhershëm. “Nuk mund të arrihet marrëveshje me gjithë këtë qasje penguese të Serbisë, në përpjekjet e saj penguese për anëtarësim e Kosovës në UNESCO e Interpol”, tha Thaçi, por pa e humbur optimizmin plotësisht. “Por, unë besoj se në javët e ardhshme do të krijohet një klimë për vazhdim të dialogut dhe Samiti i Parisit do të jetë një mundësi shumë e mirë për të bërë hapa konkretë për vazhdim të dialogut dhe arritjen e marrëveshjes”, tha Thaçi.  Por edhe pse Thaçi ishte optimist për arritjen e një marrëveshjeje, Presidenti serb ishte i një tjëtër mendimi. “Për zotin Thaçin e gjithë Kosova u përket shqiptarëve të Kosovës apo se është një shtet i pavarur. Por, sipas kushtetutës së Serbisë e gjithë Kosova i përket Serbisë, edhe bota është e ndarë, absolutisht e ndarë”, tha Vuçiç, duke shtuar se gjysma e botës e njeh, por gjysma tjetër nuk e njeh Kosovën e pavarur.

 

 

Article Logic
Execution time: 0.0033161640167236