INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Diego Costa çon Atletikon në finale të Europa League, Marseille kualifikohet pas kohës shtesë

Diego Costa çon Atletikon në finale të Europa League, Marseille kualifikohet pas kohës shtesë

Publikuar më: 22:45 03-05-2018

Atletico Madrid ka fituar 1-0 ndaj Arsenal në “Wanda Metropolitano” dhe është kualifikuar për në finalen e Europa League me rezultatin përgjithshëm 2-1, e cila do të luhet në Lion.

Në minutën e fundit të pjesës së parë, Diego Costa shënoi vendimtar për Atletico. Sulmuesi spanjoll tundi rrjetën pas pasimit të marrë nga Antonie Griezmann dhe ky ishte goli i tij i katërt në shtatë ndeshje të luajtura kundër “topçinjve” në karrierën e tij.

Atletico Madrid nuk kishte trajnerin Diego Simeone, si pasojë e skualifikimit për përjashtimin nga fusha në ndeshjen e Londrës, ndaj ky eliminim do të thotë se Arsene Wenger i mbyll 22 vitet në stolin e “topçinjve” pa asnjë trofe në Europë.

Olympique Marseille është skuadra e dytë finaliste e këtij edicioni të Europa League. Edhe pse me shumë vuajtje skuadra e Rudi Garcias eliminoi pas kohës shtesë Salzburgun duke i shuar ëndrrën futbollistit të përfaqësues së Kosovës Valon Berisha për finalen e madhe të këtij kompeticioni. Nuk do të ketë një tjetër finale pas asaj të humbur ndaj Interin në 1994-ën në Kupën UEFA për skuadrën austriake.

Salzburgu bëri gjithçka për të përmbysur humbjen 2-0 të ndeshjes së parë. Në Red Bull Arena vendasit triumfuan 2-0 duke e çuar ndeshjen në shtesë falë rrjetës së Haidaras dhe autogolit të Sarr, por në shtesë qëndërmbrojtësi portugez Rolando, 4 minuta para fundit shfrytëzoi asistin e Payet duke çuar në finale Marseille për inatin edhe të të gjithë tifozëve të Lyonit pasi finalja do të luhet në këtë qytet.

Article Logic
Execution time: 0.0034830570220947