Javën që shkoi, Ledri Vula, Majk dhe Capital T u vendosën në qendër të mediave. Shkak për këtë u bënë spekulimet për prishjen e raportit mes Majk dhe Capital T, pas disa postimeve që këngëtarët bënë në Instagram dhe që dukej se i drejtoheshin njëri-tjetrit.
Në media u spekulua se raporti është krisur, për shkak të bashkëpunimit të Ledrit me Capital T, por ky i fundit përgënjeshtroi thashethemet së bashku me Majk nëpërmjet një videoje live të përbashkët në Instagram.
Dhe ndërsa Majk dhe Ledri janë përfolur shumë për raportin e tyre pas largimit të këtij të fundit nga Babastars, në fakt ata paskan përgatitur një surprizë për fansat. Dyshja ka realizuar bashkëpunimin e parë së bashku, teksa tashmë duhet të realizojnë vetëm videoklipin. Lajmin e konfirmoi vetë Ledri, i cili tha se përpos duetit me Dafinën dhe Lumi B, ka gati projektin me Majk.