Avullojnë 5 mijë bileta, Skënderbeu thirrje pronarëve të autobusëve për bashkëpunim
Kur duhen ende tri ditë deri në startin e takimit në “Elbasan Arena” mes Skënderbeut dhe Dinamos së Zagrebit, biletat për këtë takim po vijojnë të shiten me ritme rekord. Interesimi i madh që në ditët e para ka bërë që të hapen pikat e shitjes edhe në kryeqytet, ndërsa për sa u përket shifrave, janë shitur deri mbrëmjen e djeshme më shumë se 5000 bileta.
Ndërkohë që dje është hapur në drekë edhe biletaria pranë stadiumit në Elbasan, ku shitja ka vazhduar normalisht që prej orës 15:00. Duke parë këtë interesim në Korçë janë të bindur se stadiumi në ndeshjen ndaj Dinamos do të jetë i tejmbushur.
UDHËTIMI – Një tjetër problem, me të cilin klubi i Skënderbeut është përballur dje, ka qenë ai i udhëtimit të tifozëve. Presidenti Takaj ka premtuar udhëtim falas dhe mjete pa limit për të gjithë ultrasit dhe, për këtë arsye, dje zyrtarë të bardhekuqve kanë nisur bisedimet me kompanitë që kanë mjete transporti për t’u vënë në dispozicion të tifozëve.
Skenderbeu tifozet
Madje, klubi ka bërë thirrje publike për të gjithë ata që kanë një mjet transporti të bashkëpunojnë për të nisur drejt Elbasanit ditën e enjte mbështetësit e Skënderbeut. Pasi janë siguruar disa autobusë, po porositen mjete të tjera në Pogradec, Bilisht dhe në Ersekë, në mënyrë që të enjten të gjithë të mbërrijnë në Korçë për të transportuar tifozët drejt Elbasanit.
Klubi bën me dije se do të jenë rreth 50 autobusë dhe furgonë dhe, nëse kërkesa do të jetë më e lartë, do të bëhet çmos për të gjetur linja të tjera autobusësh.
BLUZAT – Sikur të mos mjaftonte kjo, dje presidenti Ardjan Takaj ka bërë me dije se do të jenë 1000 bluza që do të shpërndahen falas për tifozët që do të hyjnë në stadium në tribunën përballë. Këto bluza të ekipit do të jenë “dhuratë” nga klubi për tifozët që t’i mbajnë veshur në ndeshjen e së enjtes. Bluzat do të jenë edhe pjesë e dekorit që është planifikuar nga tifozët./Panorama.