Për fansat më të vegjël të filmave, Disney ka gati realizimin e tij më të ri dhe një princeshë pak më ndryshe nga çfarë është parë deri tani.
Ajo nuk mban një fustan përrallor dhe as nuk jeton në kështjellë. Moana është princesha e një fisi tropikal i cili jeton duke lëvizur në mënyrë të vazhdueshme. Në udhëtimet e saj do t’i bashkohet gjysëmzoti dhe heroi i filmit, Maui, i cili do të mbajë zërin e Dwayne “The Rock” Johnson. Traileri sapo është publikuar dhe në të shfaqet Maui, i cili me tregimet e tij mitike lë pa fjalë Moanan bukuroshe, bashkë me derrkucin e saj të vogël. Ndërkohë filmi bashkë me peisazhet e tij shumëngjyrëshe pritet të dalë në ekranin e madh në nëntor të këtij viti. Fundi i vjeshtës duket se do ju gjejë duke lundruar në ishuj ekzotikë.