INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Dita e Demokracisë, këtu shqetësohen për Ramën e madh e të vogël, për Lulin apo Mulin

Dita e Demokracisë, këtu shqetësohen për Ramën e madh e të vogël, për Lulin apo Mulin

Publikuar më: 09:17 15-09-2016

Nga Afrim Krasniqi

Sot është Dita Ndërkombëtare e Demokracisë. Mediat dhe burimet serioze Perëndimore që merren me demokracinë dhe problematikat e saj e kanë pjesë të axhendës ditore. Në Shqipëri pak njerëz e dinë simbolikën e Ditës së Demokracisë dhe me siguri nuk do të ketë asnjë aktivitet. Ne kemi gjëra të tjera për t’u preokupuar, si psh: çfarë i tha Rama i vogël Ramës së madh, çfarë i tha Luli Mulit, çfarë i tha Vasili Saimirit, çfarë i tha Noizy Cozman....pra kemi halle të tjera, axhendë tjetër dhe prioritete të tjera. Kurse DEMOKRACIA që premtuam dhe prodhuam pas 25 vitesh i ngjan një fotokopjeje të falsifikuar, pa arritur të prodhojë asnjë nga ato që prisnim: shtetin e së drejtës, përfaqësimin cilësor, integritetin, vlerat, besimin dhe moralitetin. Vendin e Byrosë Politike e kanë zënë oligarket që komandojnë shefat e sëmurë pas lavdisë e pushtetit personal, partia ka monopol mbi gjithcka përfshire pronën, përfaqësimin dhe karrierën; Shqipëria Politike i ngjan modelit të atyre që blinin diploma në autostradë, - e dhënë pas luksit e fitimit dhe arrogante ndaj dijes dhe vlerave!

Ku votohet sot? Në zgjedhje parlamentare e lokale? Në sindikata e shoqëri civile? Në federata e universitete? Në shkolla e komunitet? Në parti politike? As mos t’ju shkojë ndërmend. Nëse kërkon votim je armik, nëse kërkon konkurrencë je njëherësh armik dhe i shitur. Fatkeqësisht vota e ka humbur vlerën dhe demokracia që buron prej saj është kthyer në oligarki e atyre që vjedhin votën për të vjedhur më pas gjithcka që buron nga produkti i saj.

Dita e demokracisë? Shikoni fotot si e nisëm dhe sa shumë besonim. Shikoni si jemi sot: perjetesisht te fundit. Ne nuk jemi zhgenjyer nga demokracia sepse nuk e kemi përjetuar atë, por jemi të zhgënjyer nga kjo gjëja pa formë që quajmë demokraci. Falë Zotit kemi SHBA e BE këtu që të ndodhin ca gjëra pozitive ndryshe do kishim mbetur peng i drekave dhe humorit të Gjirit te Lalzit ku çdoherë njëri nga ata në tavolinë ka bërë shkollën e burgut, - kriter përcaktues për elitat që me rotacion vijnë me premtimin për të na shërbyer dhe më pas na duan të gjithëve shërbëtorë pa zë, pa fjalë, pa emra, por me flamurin e partisë dhe foton e liderit në dorë.

Article Logic
Execution time: 0.0036361217498779