Ky 29 Nëntor ku festohet “Dita e Çlirimit” është konceptuar ndryshe në raportin e Forcave të Armatosura të Shqipërisë me qytetarët, pasi “artileria” e rëndë e ushtrisë është ekspozuar në Pedonalen e Tiranës.
Kjo pjesë e kryeqytetit u kthye për disa orë në arenën ku efektivët e FA shpalosën forcën dhe u takuan me qytetarët, të cilët populluan të gjitha stendat, ku ishin vendosur pajime nga të gjitha strukturat e ushtrisë. Dhe sigurisht qytetarët nga kureshtja preken nga afër edhe mjetet luftarake.
Në “Ditën e hapur me FA” performoi edhe Orkestra Frymore, e cila është pajisur me uniforma të reja dhe krijoi një atmosferë festive për fëmijët dhe të rriturit.
Uniformat e reja të OFFA me elementë tradicional shqiptar, me ngjyrat kuqezi, u prezantuan për herë të parë gjatë ditës së sotme dhe pjesëtarët e bandës u përshëndetën në veçanti nga ministrja e Mbrojtjes Olta Xhaçka.