Ndonjëherë për të depërtuar në tregun muzikor mjafton vetëm një ‘beat’ dhe një tekst i goditur dhe voila. Këtë na e ka vërtetuar më së miri Don Xhoni, që mori famë pas ‘freestyle’ të tij të famshëm në emisionin e Meriton Mjekiqit që theu shumë rekorde dhe i dha atij një vend direkt në industrinë e muzikës.
Nëse do e quanim si “njishi i freestyle-ve” nuk do e tepronim aspak. Disa muaj pasi bëri namin e pas disa projekteve muzikore, në dhjetor Don Xhoni u rikthye në studion e Meritonit sërish. Dhe sërish bëri namin.
Ky freestyle është bërë viral edhe në TikTok, muzika e të cilit po përdoret nga e gjithë bota për realizimin e videove me kërcimin karakteristikë për këtë këngë. Sekuenca në profilin origjinal të postuar për herë të parë tashmë ka tejkaluar 4 milionë shikime dhe mbi disa qindra mijëra pëlqime. Sakaq, inserti është postuar nga pafund profile teksa trendi vijon të jetë në rritje.
Por, surpriza e vërtetë ka ardhur ditën e sotme. Faqja e famshme “Ellen Tv Show”, faqja e emisionit të Ellen DeGeneres ka shpërndarë këtë video në profilin e saj. Kjo faqe numëron mbi tre milionë ndjekës, dhe kjo është super arritje për Donin që po depërton në industrinë ndërkombëtare.
“E dua këtë, etiketoni dikë që duhet ta dëgjojë”, – është shkruar në përshkimin e videos.
Aktualisht videoja numëron mbi 25 mijë pëlqime dhe mbi 1000 komente. Ç’po pret ende këtu? Shko dhe suportoje Donin me një like dhe koment.