INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Donald Trump: Nën drejtim tim, Amerika do të jetë më e sigurt

Donald Trump: Nën drejtim tim, Amerika do të jetë më e sigurt

Publikuar më: 09:25 22-07-2016

Kuvendi i Republikanëve u mbyll të enjten mbrëma në Klivlend të Ohajos, me fjalimin e kandidatit për President Donald Trump, pika kulmore e një jave që pati momente befasuese dhe dramatike dhe që tregoi se ndasitë e krijuara nga fushata ende nuk janë zhdukur në Partinë Republikane. Ngjitja e pazakontë e manjatit miliarder, pa përvojë politike në njërën prej dy forcave mbizotëruese politike në Shtetet e Bashkuara, duke u bërë kandidati i saj, është një rast i pashembullt në politikën amerikane.

Në fillim të fjalës së tij Trump, tha se e pranonte emërimin me përulësi dhe mirënjohje,  “Amerikanët që po shohin sot këtë fjalim, i kanë parë imazhet e dhunës të kohëve të fundit në rrugët tona dhe kaosin në komunitetet tona. Shumë kanë qenë personalisht dëshmitarë të dhunës dhe disa edhe viktima të saj. Kam një mesazh për të gjithë ju: Krimi dhe dhuna që sot ka prekur vendin tonë, do të përfundojë së shpejti. Që nga 20 janari 2017, do të vendoset siguria”.

Një pjesë e mirë e fjalimit të kandidatit për President Donald Trump, ishte përqendruar tek sulmet ndaj rivales së pritshme të tij, Hillary Clinton. Madje kritikat e ashpra vinin në qendër njëkohësisht administratën e presidentit Obama dhe zonjën Clinton si pjesë e saj. “Amerika është më pak e sigurt dhe bota shumë më pak e qëndrueshme sesa kur zoti Obama mori vendimin që të vinte Hillary Clintonin në krye të politikës së jashtme të Amerikës”, tha ai.

Por edhe më pak se 24 orë para fjalimit, ai ngjalli debate kur tha për gazetën New York Times, se do të vërë kushte për mbrojtjen e aleatëve të NATO-s ndaj një sulmi të mundshëm, një qëndrim që u kundërshtua menjëherë nga Uashingtoni dhe vende të tjera. Me përfundimin e Kuvendit Republikan në Klivlend, vëmendja zhvendoset tek kampi demokrat. Kandidatja për President Hilary Clinton mendohet se do të deklarojë emrin e personit që do të zgjedhë si kandidat për nënpresident këtë fundjavë. Të hënën në Filadelfia, hapet Kuvendi i Partisë Demokrate ku zonja Klinton do të emërohet zyrtarisht si kandidate e partisë së saj.

Article Logic
Execution time: 0.0037319660186768