INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Donald Trump, zyrtarisht kandidat për president nga republikanët

Donald Trump, zyrtarisht kandidat për president nga republikanët

Publikuar më: 07:55 20-07-2016

Donald Trump u bë të martën mbrëma zyrtarisht kandidati për president i Partisë Republikane.

 

Pas një votimi dhe numërimi të votave në Kuvendin Kombëtar Republikan, zoti Trump fitoi me lehtësi të 1,237 delegatët e nevojshëm.

Ai mbajti një fjalim nga Kulla Trump e Nju Jorkut, drejtuar me satelit Kuvendit Republikan në Klivlend të Ohajos, duke thënë se fitorja prej tij e emërimit të partisë është diçka që ai nuk do ta harrojë kurrë.

Emërimi zyrtar erdhi në ditën e dytë të Kuvendit, i cili filloi me protestën e një pjese të delegatëve dhe me përpjekjet për të ndryshuar rregullat e Kuvendit.

Rrugëtimi politik i zotit Trump nisi 13 muaj më parë dhe, gjatë kësaj periudhe, biznesmeni miliarder arriti të mundë 16 rivalë. Kjo përpjekje e tij u shoqërua shpesh me polemika brenda Partisë Republikane.

Djali i tij më i madh Donald Trump Jr., njoftoi mbrëmë mbështetjen e Nju Jorkut, gjatë një numërimi zë për zë të votave në Kuvend dhe kjo i siguroi zotit Trump shumicën e duhur për t’u bërë kandidati që do të përballet më 8 nëntor me kandidaten e pritshme demokrate Hillary Clinton për Shtëpinë e Bardhë.

“Urime baba. Ne të duam,” tha Donald Trump Jr., duke shpallur votën e Nju Jorkut.

Rivalja demokrate e kandidatit Trump, Hillary Clinton, reagoi menjëherë në Twitter. Ajo shkroi: "Donald Trump sapo është bërë i emëruari i Partisë Republikane. Ndihmoni tani që ai kurrë të mos hyjë në Shtëpinë e Bardhë”.

Zoti Trump fitoi gjithsej 1,725 delegatë, i ndjekur nga senatori Ted Cruz i Teksasit me 475. Guvernatori i Ohajos John Kasich mori 120 vota, ndërsa senatori i Floridës, Marco Rubio 114.

Article Logic
Execution time: 0.0020561218261719