Ministra e Inovacionit, Milena Harito ka njoftuar nga Fakulteti i Drejtësisë në Tiranë se në administratë ka 675 vende të lira pune në nivel specialistësh. Aplikimi për një vend pune bëhet online, me anë të faqes zyrtare të Departamentit të Administratës Publike.
“675 vende vakante janë të hapura në nivel bazë, pra në nivel specialistësh. Që do të thotë, këto vende pune janë të hapura për të gjithë ju. Ndaj kemi nxitur gjatë këtyre kohëve sistemin e praktikave. Kemi ndërmarrë një sistem praktikash në bashkëpunim me Ministrinë e Mirëqenies Sociale. Kjo praktikë njihet si eksperiencë kur është e regjistruar pranë DAP. Në dy vite kemi pasur 55 mijë kandidatura, që e kanë testuar procesin. Ejani testojeni edhe ju”, tha ministrja Harito.