Kush thotë se të jesh një artist rruge nuk është një profesion serioz? Këta njerëz dinë si ta kthejnë një vend të zakonshëm në një dimension tjetër, ta kthejnë në kryevepër artistike. Të përdorësh artin për të transformuar elementët urbane, tani është një mundësi shumë e mirë për këtë profesion. Të gjithë ata që duan të lënë gjurmët e tyre në hapësirat e kryeqytetit tani kanë mundësi për të shpalosur talentin e tyre. Nuk ka rëndësi nëse je shtetas shqiptar apo i huaj, nëse do të lësh gjurmë në Tiranë, tani ke mundësi për të pikturuar në hapësirat e kryeqytetit madje dhe shpërblehesh.
Bashkia e Tiranës ka celur thirrjen për artsitët ku në total janë 20 aplikime të hapura.12 mure në zona të ndryshme të qytetit, si dhe 8 vende ku janë të vendosura kazanët e mbeturinave janë pjesë e këtij projekti.
Në zonat që do të transformohen në vepra arti, përfshihet edhe shkolla “7 Marsi”, tuneli tek rruga “Myslym Shyri”, një kabinë elektrike në zonën “Komuna e Parisit”, si edhe disa mure në pika të ndryshme të qytetit.
Artistët që duan të aplikojnë mund të mbushin formularin me të dhënat e tyre të përgjithshme, punët e mëparshme dhe skicën e projektit, i cili mund të jetë mural, grafitt apo diçka tjetër. Sipas formularit, bashkia u kërkon aplikuesve edhe një buxhet për projektin, ku në kosto llogaritet puna e artistit, materialet e nevojshme, transporti, mirëmbajtja, etj.
Kjo nuk është hera e parë që bashkia përdor artin për të transformuar elementët urbanë.
Ndërmarrja e Dekorit e Tiranës po pikturon kabinat telefonike me imazhet e personazheve më të dashur të kinematografisë dhe televizionit. Gjithashtu, së shpejti do të nisë edhe projekti për rregullimin e fasadave të pallateve, ku piktorë, artistë vizualë dhe studentë të arteve figurative do të bashkëpunojnë për të pikturuar dhe transformuar pallatet.