Janë hapur që më 7 mars para-regjistrimet për të rinjtë që jetojnë jashtë Italisë e që duan të vijnë këtu për të ndjekur një universitet, një akademi apo konservator. Para-regjistrimet bëhen pranë konsullatave italiane në botë.
Duhet mbajtur parasysh që procedura e para-regjistrimeve është e vlefshme vetëm për ata që jetojnë jashtë Italisë, sepse të gjithë të rinjtë rezidentë të rregullt në Itali regjistrohen në Universitet njësoj si bashkëmoshatarët e tyre italianë.
Natyrisht, para së gjithash, të rinjtë e huaj duhet të zgjedhin ku duan të shkojnë, duke i hedhur një sy vendeve të vëna në dispozicion për studentët që vijnë nga jashtë Italisë nga universitetet e nga shkollat e larta të formimit artistik, muzikor e koreografik. Këto vende i gjejnë në adresën http://www.studiare-in-italia.it/studentistranieri/.
Pasi të bëjnë zgjedhjen e tyre, duhet të paraqesin kërkesën e para-regjistrimit në konsullatën italiane në vendlindje deri më 24 korrik 2019. Në Shqipëri, sipas qytetit të rezidencës, kërkesa paraqitet në Zyrën konsullore të ambasadës në Tiranë ose në Konsullatën italiane në Vlorë.
Konsullatat, pasi të mbledhin kërkesat, do t’ua përcjellin universiteteve e shkollave të larta dhe në gusht do të shpallin listën e të pranuarve e do të nisin të japin vizën e hyrjes në Itali falë të cilës të interesuarit do të mund të vijnë në Itali për të mbajtur provimin e italishtes, që është i detyrueshëm thuajse për të gjithë, dhe testet e pranimit, nëse është zgjedhur një fakultet me numër të mbyllur studentësh sipas kalendarit të paracaktuar.
Kush do të kalojë me sukses testimet mund të kërkojë më pas lejen e qëndrimit për motive studimi.
Ministria italiane e Arsimit, Universitetit dhe Kërkimit Shkencor, ka aktivizuar një faqe internet (http:/www.studiare-in-italia.it/studentistranieri/) me listën e vendeve në dispozicion në çdo universitet, akademi dhe konservator, rregullat për para-regjistrimet, kalendarin dhe formularët që duhen përdorur./Shqiptari i Italisë