INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Dorëzimi i mandatit. Vendimi i Tahirit pasqyrohet në mediet ndërkombëtare

Dorëzimi i mandatit. Vendimi i Tahirit pasqyrohet në mediet ndërkombëtare

Publikuar më: 15:30 03-05-2018

Vendimi i ish-ministrit Saimir Tahiri për të dorëzuar mandatin e tij të deputetit është komentuar gjerësisht edhe në mediet e huaja. Akuzat e forta që e lidhin ish-kreun e Brendshëm me bandat e trafikut të drogës, çuan në këtë vendim Tahirin. Ish-ministri mori këtë vendim një ditë pas seancës së zhvilluar nga Komisioni Hetimor, ndërsa ka tronditur gjithë politikën shqiptare me akuza të drejtëpërdrejta e konkrete për qeverinë, opozitën dhe maxhorancën. “Dorëzimi i mandatit. Ish-ministri shqiptar nën hetim jep dorëheqjen si ligjvënës”-shkruan Associated Press. “Ish ministri i brendshëm i Shqipërisë ka dhënë dorëheqjen si ligjvënës për të lejuar hetuesit të hetojnë përfshirjen e tij të dyshuar në një rrjet trafiku të drogës. Saimir Tahiri të enjten tha se ai e dorëzoi pozicionin e tij në mënyrë që hetimi ndaj tij të mos bëhet pengesë në rrugën e integrimit të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian”-shkruan kjo medie. Më tej komentohet se Tahiri i ka mohuar me forcë këto akuza. “Tahiri, i cili shërbeu si ministër i Brendshëm nën qeverinë e majtë socialiste nga 2013 në 2017, akuzohet për lidhje të dyshuara me një grup kriminal të dyshuar për trafikim të sasive të mëdha të kanabisit. Disa liderë të grupit janë arrestuar në Itali dhe Shqipëri. Tahiri ka mohuar me forcë çdo lidhje me grupin. Parlamenti i vitit të kaluar e hoqi imunitetin e Tahirit në mënyrë që prokurorët të merrnin në pyetje”-shkruan AP. Por lajmi është komentuar gjithashtu nga mediet italiane, ku kryhej trafiku i drogës, dhe ku qëndron banda për lidhje me të cilën akuzohet ish-ministri. “Organizata u mposht tetorin e kaluar nga autoritetet e Katania-s. Një nga vëllezërit Habilaj përfundoi me pranga. Emri i Tahirit, sipas përgjimeve në Itali, është përmendur shpesh në bisedat mes trafikantëve. Ai ka mohuar publikisht të ketë ndonjë lidhje me Habilaj”-shkruan Agenzia Nova. Në artikull komentohet edhe qëndrimi i qeverisë Rama si dhe pasqyrohen akuzat e opozitës. “Prokuroria shqiptare ka kërkuar nëntorin e kaluar që të miratohej në Kuvend, vendimi për arrestimin e tij, por shumica dhe kryeministri Edi Rama refuzuan duke thënë se nuk kishte asnjë provë bindëse. Qëndrimi i shumicës dhe kryeministrit Edi Rama, krahu i djathtë e të cilit ishte Tahiri, u interpretua gjerësisht si një lëvizje për të mbrojtur ish-ministri”-komenton AN.

Article Logic
Execution time: 0.0036249160766602