Deputeti Oerd Bylykbashi në një takim me pedagogë dhe studentë të Universitetit të Shkodrës tregoi për politikanët të cilët rrezikojnë në rast se nisma e Partisë Demokratike miratohet. Ai foli për disa llojë lidhjesh të politikanëve në Parlament me krimin. “Fenomeni po transformohet në persona që ose janë në Parlament për lidhje gjaku me familje kriminale ose janë ushtarë të familjeve kriminale, janë kriminelë të cilët janë kandidatë për vendimin e gjykatës për dënimin penal. Më keq akoma është politikani i cili është i lidhur me krimin, politikani i cili deklaron që “po unë kam miqësi, unë i takoj përditë, unë flas përditë në telefon sepse unë flas me elektoratin”, theksoi Bylykbashi, i cili në vijim foli për efekt zero që mund të vijë prej zbatimit të ligjit zgjedhor. “Është tashmë një proces, procesi i reformës zgjedhore i cili në vetëvete sado i suksesshëm të jetë do të mbetet diçka në letër përderisa kodin do e interpretojnë rrjetet kriminale ditën e votimit, pra ka vlerën zero praktikisht. Kështu që jemi para nevojës për dekriminalizim e procesit zgjedhor por mbi të gjitha kjo nuk mund të ndodh nëse ne nuk do të kemi shkëputje të marrëdhënies mes politikës dhe krimit”, theksoi ai.