INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Drejtues të papërgjegjshëm apo kalimtarë të papërgjegjshëm, ja cili është shkaku i aksidenteve [FOTO REPORTAZH]

Drejtues të papërgjegjshëm apo kalimtarë të papërgjegjshëm, ja cili është shkaku i aksidenteve [FOTO REPORTAZH]

Publikuar më: 14:39 28-08-2017

Aksidenti i para pak ditëve në autostradën Tiranë-Durrës, në të cilin u përfshi deputeti i PDIU, Aqif Rakipi, u bë lajmi kryesor i mediave. Kjo për faktin se makina që drejtonte ligjvënësi përplasi me vdekje një këmbësor, por edhe për faktin që, ai u largua nga vendi i ngjarjes, u paraqit në polici, ndërkohë që ekspertiza nxori fajtor viktimën dhe doli brenda një afati të shkurtër kohor, ndërsa deputeti u la i lirë. Por, nëse do të ishte një qytetar tjetër i Shqipërisë, i përfshirë në një aksident të tillë, me apo pa faj, por që do të kishte një viktimë, minimalisht do të qëndronte në qeli 48 orë, aq kohë sa duhet për tú paraqitur në gjykatë për masë arresti. Megjithatë, për të mos u marrë me deputetin dhe rastin konkret, një fatkeqësi e tillë, mund t’i ndodhë çdokujt, çdo ditë, në çdo moment.

AlertNews.al ka bërë një vëzhgim të shkurtër dhe brenda disa orëve, vërehet qartë, që çdo drejtues mjeti është i rrezikuar të përfshihet në një aksident me këmbësorë, motorë e biçikleta. Vëzhgimi nuk është “scoop”, pasi çdokush nga ne e vëren një situatë të tillë, por ndoshta ka ardhur koha që, ata të cilët e kanë për detyrë përmirësimin e një situate të tillë, të mos heshtin më. Këtu janë policia rrugore, autoritetet që kanë për detyrë përmirësimin e infrastrukturës rrugore e përse jo, të përfshihen të gjitha policitë e mundshme, ashtu siç merren të gjitha edhe me shoferët që ndoshta s’kanë paguar parkimin me sms. Masat mund dhe duhet të jenë edhe drastike, qoftë dhe për ndonjë ditë burg për këmbësorët e “çmendur”, ashtu siç mund të bëjë burg ndonjë shofer i pafajshëm nëse i përplas ata.

Arsyeja kryesore e një situatë të tillë katastrofike në rrugët tona, së pari është se shqiptarëve duket që jeta “jeta nuk iu kushton një grosh”.  Duket qartë që shqiptarët janë populli më i paedukuar, më i pakujdesshëm, më i parespektueshëm, të paktën për jetën e vet, për sa i takon lëvizjes në rrugë.

Të udhëtosh vetëm një rrugë vajtje-ardhje nga Tirana në Durrës apo Golem, mund të jesh i përfshirë në aksident nga njerëz që kalojnë nga njëra anë e autostradës në tjetrën, me një gjakftohtësi të frikshme. Në shumë raste, mbikalimet e rralla i kanë shumë larg, por edhe shumë afër. Ndërsa çmenduria më e madhe është në zonat urbane. Në kolazhin fotografik, AlertNews.al sjell momente lajthitje të këmbësorëve kryeqytetas, që kalojnë nga njëra anë e karrexhatës në tjetrën, kur semafori për ta është i kuq, kalojnë në vende ku nuk ka viza të bardha, edhe pse këto të fundit nuk i kanë më shumë se 30 apo 50 metër larg. Ka shumë të tjerë me biçikleta, që edhe pse e kanë korsinë e tyre të dedikuar, nuk denjojnë të ecin aty, edhe pse herë herë, kjo korsi është e zënë nga këmbësorët, ose të moshuar që nuk e kanë shumë idenë, ose nga “pjeshka” që telefonin nuk e ndajnë nga dora e veshi.

Për sa i përket rrezikut të aksidenteve makinë-këmbësor, iu gjithë vendi është në ALERT. Por, pikat më kritike dhe arsyet janë këto:

Autostratat Tiranë-Durrës-Rrogozhinë / Tiranë – Fushë Krujë-Milot. Këmbësorë që kalojnë autostradën dhe trafikndarësin, njerëz me motorë të vegjël që hiqen si pilotë e tjetri mbrapa pa skafandër, ndoshta as në Indi nuk gjenden

Në autostradën Plepa-Mali Robit, ku shpejtësia e lejuar është 90, papritur një tabelë të sinjalizon për të shkuar në 50 km / orë, vetëm e vetëm për të favorizuar një karburant i cili për shkak të hapësirës, s’ka mundur të plotësojë kriterin e domosdoshëm të korsisë së dedikuar për klientët, në gjatësinë e nevojshme.

Aksi nga Sheshi Shqiponja deri në Zogun e Zi, edhe pse ka semaforë e viza të bardha, mbetet pikë e nxehtë, edhe kjo për shkak të çmendurisë së vetë këmbësorëve, që papritur të shfaqen në rrugë, edhe ku nuk është zonë e tyre kalimi.

Rruga e Durrësit, e Kavajës, por edhe shumë akse të tjera brenda qytetit mbeten problem nga parkimet në rresh për dy, ndërkohë që këmbësorët kalojnë pa parë e pritur asnjë të drejtë që mund të kenë automjetet.

Aksi i zgjeruar dhe shtruar së fundmi, pikërisht nga ish-INSIG deri te hyrja e Sheshit Skënderbej, konkretisht pranë stacionit të autobusëve, është një nga pikat më të rrezikshme për mundësi aksidenti, pasi një numër i madh këmbësorësh nuk i afrohen semaforit dhe vizave të bardha, por kalojnë ku të mundit.

Dy segmente të bulevardeve Gjergj Fishta dhe Bajram Curri (dy anët e Lanës, unazë), nga Brryli deri te Ura e madhe e Rrugës së Elbasanit, janë jashtë çdo parametri sigurie. Automjetet, edhe pse shpejtësi e limituar urbane, ecin me një shpejtësi të frikshme, këmbësorët, po si shqiptarët, ndërkohë që dy semaforët pranë Ministrisë së Jashtme dhe në krahun tjetër, pranë asaj të Shëndetësisë, nuk plotësojnë asnjë parametër. Në çdo 4-5 minuta, ata mund të bëhen jeshil për këmbësorët vetëm 15 sekonda e gjithë kohën janë vetëm të kuq, për automjetet jeshil dhe shpejtësia e tyre në këto dy akse, është jashtë çdo norme të lejuar, aq më tepër që pikërisht këtu, ka disa shkolla 9-vjeçare, të mesme, kopshte e çerdhe.

Situata është katatrofike dhe kjo, kryesisht për shkak të këmbësorëve, biçikletave, motorëve etj, pa harruar edhe fajet e drejtuesve të mjeteve, parkimet për dy, herë herë edhe ndonjë polic rrugor që ndalon automjetet në vende apo akse të ngushta etj.

Por a ka zgjidhje kjo situatë? Sigurisht ka, ndoshta me dhimbje. Fushatat ndërgjegjësuese, edhe pse të rralla, s’kanë munguar. Por, shqiptarët nuk shtrohen lehtë. Autoritetet që duhet të krijojnë kushte optimale për sigurinë rrugore e në këtë rast të këmbësorëve, ndoshta duhet të hapin thesin dhe të ndërtojnë më tepër ura mbikalimi apo nënkalime për këmbësorët. Të krijojnë infrastrukturë më të mirë rrugore veçanërisht në akset interurbane. Të tentojnë të ndërgjegjësojnë edhe një herë këmbësorët e çiklistët “me të mirë”, me fushata sensibilizuese etj. Pa harruar edhe drejtuesit e mjeteve që jo rrallë herë i shohim në qytet, në lagje e rrugica, ashtu si në gara shpejtësie. Në të kundërt?? “Dhuna ka dalë nga Xhehneti”, thotë një shprehje. Fatmirësisht kemi aq shumë policë e lloje policish, sa të mund të bëjnë zap apo shembull disa njerëz. Polici rendi, polici rrugore, polici kriminale, patrulla të përgjithshme, polici bashkiake, polici…kush e di se sa…. E një plan masash emergjent që mund të ndërmerret, ndoshta drastike, do të ishte shpresa e madhe për të shpëtuar shumë jetë njerëzish, për të shpëtuar shumë drejtues nga aksidente të pafajshme që edhe mund t’ju kushtojnë shtrenjtë, si futjen në burg, futjen në hasmëri me familjet e viktimave etj. Ashtu, siç do ishin shpëtim masat drastike të tilla, edhe për ata shoferë, veçanërisht të rinj, apo me makina të shtrenjta, burgu, pasi me gjoba të larta apo heqje leje drejtimi, ka të ngjarë që të mos zënë mend. E nëse këto nuk ndodhin, rrugët tona do të jenë çdo ditë të përgjakura, spitalet plot, varrezat plot, burgjet plot. /AlertNews.al/

37.jpg

 

38.jpg

29.jpg

28.jpg

11.jpg

 

20.jpg

19.jpg

10.jpg

9.jpg

2.jpg

23.jpg

31.jpg

30.jpg

22.jpg

21.jpg

18.jpg

17.jpg

16.jpg

15.jpg

14.jpg

 

Article Logic
Execution time: 0.0039341449737549