Artistja e talentuar shqiptare është kthyer përvëluese në klipin e saj të ri, “Hotter Than Hell”.
Dhe të mendosh që nuk ka pasur nevojë as të zhvishet. Tashmë në fokusin e mbarë botës pasi u listua si “Push Artist” nga prestigjozja MTV, Dua Lipa nuk heq dorë nga stili që e bëri të binte në sy në radhë të parë. Formimi i saj si një artiste british ndjehet më shumë se më parë, duke i dhënë nuanca të veçanta jo vetëm klipit, por edhe këngës vetë. Një klip i përcjellë me sekuenca të errëta, ashtu siç natyrisht do t’i takonte “Ferrit” bën Dua Lipan të dalë nga bota e çudirave ku ishte futur herën e fundit, në “Last Dance”. Bukuroshja 20 vjeçare këndon për një lidhje që e çmend partnerin e saj, një lidhje që përcillet si varësi vrastare pa të cilën “ai” nuk mund të rrijë. Në rolin e djallit që do të tërbonte këdo, Dua shpreh tërësisht natyrën e saj rebele dhe të lirë në të vetmen formë ku mund ta vlerësojmë si të bukur, përmes artit të saj. Edhe një herë tjetër, ashtu siç e prisnim, goditi në shenjë.