INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Duelet e merkatos, përplasje milionash...

Duelet e merkatos, përplasje milionash...

Publikuar më: 12:40 26-04-2017

Klubet e Serisë A kanë nisur punën për të bërë përforcime në merkato, por për të arritur synimet e tyre duhet që të fitojnë edhe konkurrencën e klubeve të tjera. “Corriere Dello Sport” ka publikuar listën e 10 lojtarëve që i duan në Itali, por duelet janë të forta për ta.

Korentin Toliso – Qendërmesfushori francez dëshirohet shumë nga Juventusi, por në rrugën e bardhezinjve ka ndërhyrë edhe Napoli, që e sheh mesfushorin si zëvendësuesin ideal të Marek Hamshik. Vlera e kartonit të tij shkon në rreth 35 milionë euro, ndërkohë që për të interesohen gjithashtu edhe Milani e Mançester Siti.

Federiko Bernardeski – Fantazisti i Fiorentinës ndiqet prej Interit që verën e shkuar, kur Auzilio mori përgjigjen që mesfushori nuk është në shitje. Tanimë ai vlen 40 milionë euro dhe Interi po mundohet shumë ta transferojë. Për të tashmë në garë ka hyrë edhe Juventusi, që e sheh lojtarin si shumë të vlefshëm në skemën 4-2-3-1. Jashtë Italisë mesfushorin e duan edhe Çelsi dhe Bajerni i Mynihut.

Dejvi Klasen – Napoli kërkon një mesfushor qendre dhe po shikon disa pista të ndryshme dhe njëri prej lojtarëve që po ndiqet është mesfushori i Ajaksit, Dejvi Klasen. Lojtari kushton 15 milionë euro dhe për të interesohet edhe Lacio, sikurse klube të ndryshme në Angli dhe Gjermani.

Kasper Dolberg – Roma dhe Napoli duan “thesarin” e Ajaksit, i cili këtë sezon ka shënuar 19 gola në kampionat. Skuadra e Spaletit do një zëvendësues për Xhekon, por vlera e kartonit të sulmuesit është 20 milionë euro dhe konsiderohet e lartë.

Patrik Shik – Sulmuesi çek i Sampdorias po ndiqet nga disa klube dhe vlera e tij shkon në rreth 20 milionë euro. Klubi aktual po tenton t’i rinovojë kontratën, por sulmuesi 21-vjeçar po joshet nga dyshja Milan-Inter. Së fundmi në skenë ka dalë edhe Napoli, ndërsa në Angli interesohen Arsenali dhe Totenhemi.

Keita Balde – Sulmuesi do të largohet nga Lacio dhe kjo është më se e qartë. Adhuruesit e tij nuk mungojnë dhe Milani prej kohësh është i interesuar ta afrojë në skuadër sulmuesin anësor, që Lotito e ka vlerësuar me shifrën e 25 milionë eurove dhe nuk do të ketë asnjë ulje. Në garë për të është futur edhe Napoli, që kërkon të përfshijë edhe Duvan Zapatën në marrëveshje.

Juri Tielemans – 20-vjeçari i Anderlehtit po ndiqet me interes nga Roma, por në lojë është edhe Monako, që gjithashtu ka pasur një takim me agjentin e lojtarit. Por për të duket se do të bëhet një ankand, pasi Çelsi, Mançester Junajtid, Atletiko e Madiridit dhe PSG interesohen për lojtarin e Anderlehtit, teksa së fundmi kësaj liste i është bashkuar edhe Milani.

Stefan De Vraj – Holandezi i Lacios vlerësohet me një çmim prej 25 deri në 30 milionë euro dhe Lotito dëshiron ta shesë atë jashtë vendit, konkretisht te Mançesteri i Murinjos dhe Çelsi i Kontes, të cilët janë të interesuar për mbrojtësin. Në Itali atë e duan Interi dhe Milani, ndërkohë më larg duket Juventusi.

Hames Rodrigez – Sulmuesi i Realit të Madridit dëshiron të qëndrojë tek ekipi spanjoll, por Zidan nuk po i jep hapësira, ndaj transferimi i tij në një tjetër klub duket të jetë një zgjedhje e detyruar për të. Juventusi dhe Interi e pëlqejnë atë, por në garë është edhe Mançester Junajtid, shkruan sportal.

Aleksis Sançez – Në Angli thuhet se Siti është skuadra favoritë për ta blerë sulmuesin e Arsenalit, të cilit i mbaron kontrata verën e ardhshme dhe “topçinjtë” nuk duan ta humbasin me parametra zero. Kushton 60 milionë euro dhe e duan Interi e Juventusi, por shuma që duhet paguar për të i step disi. Pas sulmuesit janë edhe disa skuadra të tjera, me PSG-në në Francë, Bajernin në Gjermani dhe Junajtid në Angli.

Article Logic
Execution time: 0.0035600662231445