INTV NEWS SHOWBIZ MAGAZINA MUSIC MOVIES FASHION MED+ SPORTS VIDEOS
Duka u përgjigjet 21 pyetjeve, që nga përçarja Kosovë-Shqipëri, e deri tek analiza dhe projektet për Superligën

Duka u përgjigjet 21 pyetjeve, që nga përçarja Kosovë-Shqipëri, e deri tek analiza dhe projektet për Superligën

Publikuar më: 19:51 31-08-2016

Çështja e largimeve të disa lojtarëve nga Shqipëria drejt Kosovës ka qenë më e diskutuara e ditëve të fundit, ndërsa në një intervistë ekskluzive për “Newsport.al”, presidenti i FSHF-së, Armand Duka pohon se i ka respektuar këto zgjedhje individuale. Sipas numrit 1 të i Federatës Shqiptare të Futbollit, një gjë e tillë nuk i ka cenuar marrëdhëniet me homologun e tij, Fadil Vokrrin.

Një temë tjetër e prekur gjatë intervistës është dhe objektivi që ka Kombëtarja në Eliminatoret e Botërorit “Rusi 2018”. Sipas kreut të FSHF-së, skuadra kuqezi e ka gati të pamundur të renditet mes dy vendeve të para në grup, duke qenë se të favorizuara mbeten Spanja dhe Italia.

Për sa i përket dënimit të Skënderbeut nga UEFA, Duka nuk ka dyshim që kjo gjë nuk do të ndikojë në çështjen e titullit kampion të fituar nga korçarët sezonin e shkuar. Sipas presidentit të FSHF-së, bardhekuqtë i njohu si kampionë fusha e gjelbër dhe jo Federata.

Çështja e Kosovës

-Si jeni ndjerë që 4 futbollistë të cilët nuk u grumbulluan në “Francë 2016” u larguan drejt Kosovës?

-Ka qenë zgjedhja e tyre dhe e kam respektuar. Unë në përgjithësi i jap prioritet institucioneve e jo individëve.

-A ka pasur lojtarë të tjerë në përfaqësuese, të cilët u joshën ose u tentuan të luanin me Kosovën?

-Jo, asnjë tjetër nuk ka kërkuar të largohet.

-Si janë raportet me Federatën Kosovare në këtë drejtim, a është e vërtetë që ka pasur hatër-mbetje sidomos për rastin Rrahmani?

-Të shkëlqyera. Vokrri ka qenë korrekt në gjithçka. Por, ka ndonjë tjetër që nuk respekton marrëveshjet  e bëra nga Vokrri dhe e vendosin atë në vështirësi.

-Shumë shpesh është akuzuar Federata Shqiptare që nuk vijnë lojtarë shqiptarë, si e komentoni vendimin e shqiptarëve të Zvicrës për të mos luajtur me Kosovën?

-Asnjë koment. Le të komentojnë ata që janë marrë prej kohësh me këto komente.

-Megjithëse e dinit që Kosova më vete do ishte le të themi dobësim për Shqipërinë keni lobuar shumë që Kosova të njihet. Pse e keni bërë këtë?

-E kam bërë me vetëdije dhe jam krenar. Kam ndihmuar të realizohet dëshira e popullit kosovar për pavarësi. Unë mendoj se pasi janë në pavarësi të plote mund të vendosin për fatet e veta, të bashkohen me Shqipërinë , të vazhdojnë si shtet me vete etj.

Kombëtarja

-Çfarë prisni nga Rusi 2018?

-Të rikthehemi me këmbë në tokë dhe ta fillojmë mirë. Ne s’jemi skuadër e madhe, por me 120% përkushtim mund të arrijmë gjithçka.

-A mendoni se Shqipëria i ka potencialet të renditet në një nga dy vendet e para në grup?

-Mision i vështirë në kufijtë e së pamundurës. Por ne duhet të tentojmë.

-Pse vendosët që çmimi i biletave të jetë njësoj si edicioni i shkuar?

-Sepse kemi fat (qesh).

-A do luhen të gjitha ndeshjet në “Loro Boriçi”?

-Besoj se po. Ndoshta ndonjë edhe në Elbasan.

-A do të ndryshoj emri i stadiumit “Loro Boriçi”?

-Nuk varet nga FSHF-ja një gjë e tillë.

-Do luajë Kombëtarja me të njëjtën uniformë si në Europian?

-Do fillojmë me të njëjtën. Besoj se në mars të 2017-ës do jetë gati tjetra.

-Sa ishte shuma e përfituar nga FSHF gjatë Europianit?

-Ne kemi shpenzuar më shumë se sa kemi arkëtuar.

-Ka ndryshuar çmimi i së drejtës televizive të përfaqësueses pas kualifikimit në Europian?

-Jo. Ai është fiks dhe menaxhohet nga UEFA.

-A është e vërtetë që ka bisedime me Federatën e Maqedonisë që të mos ketë incidente në të dy ndeshjet dhe a mendoni që do luhet në Shkup ndeshja tjetër?

-Nuk kemi bërë asnjë marrëveshje.

Kampionati

-Skënderbeu u pezullua nga aktivitet ndërkombëtare të UEFA-s. Zyrtarisht a e njihni si kampion të Shqipërisë?

-Ka fituar në fushë, nuk e njohim ne.

-Klubet kanë kërkuar të rrisin nivelin të ardhurave. A parashikohet ndonjë subvencionim nga FSHF?

-Ajo çka është e përbashkët është rritur e vazhdon te rritet.

-Superkupa ka pasur 0 lekë shpërblim për ekipin fitues. A do rishikohen shpërblimet për fituesit?

-Ndoshta.

-Jeni i kënaqur nga skema me 10 skuadra?

-Është më optimalja.

-Është e vërtetë që shpesh është mbyllur një sy për licencimin e klubeve si në infrastrukturë ashtu nga pikëpamja financiare?

-Respektohet licencimi sipas niveleve. Por rregullorja ndryshon çdo vit për të shkuar aty ku duhet.

-Shpesh kampionatit nuk i jepni rëndësinë e përfaqësueses. A është e vërtetë?

-Kampionatet janë shumë të rëndësishme per FSHF-në. Mirë do ishte të kishim Liga. Kampionati ynë i Superiores është më i miri në rajon për nivel, infrastrukturë , gjykim etj.

-Gjyqtarët kanë qenë shpesh të kontestuar. Si e komentoni “skuadrën” e tyre dhe a mendoni e herë pas here me ndërgjegje se ata bëhen faktor?

-Kanë bërë përparim e vazhdojnë të bëjnë njësoj si futbolli. Por, do të vazhdojnë të kontestohen.

Article Logic
Execution time: 0.0041439533233643