Policia e Durrësit ka bërë të mundur arrestimin e një 33 vjeçari pasi ky i fundit tentoi të vriste me thikë të dashurën. Antonio Zani, 33 vjeç,në orën 06:00 të ditës së sotme, në lagjen Nr. 8 Durrës, i ndodhur nën efektin e lëndëve narkotike, ka tentuar të vrasë me thikë të dashurën, 20 vjeçaren me iniciale A.D.
Ai mësohet se ka shkuar në banesën e gruas me iniciale N.M., ku e reja punonte si kujdestare nate për të zonjën e shtëpisë, e cila ishte invalide dhe pas një konflikti të çastit e ka goditur disa herë me thikë.
Për pasojë, 20 – vjeçarja ka marrë plagë të rënda në trup dhe ndodhet në Spitalin Ushtarak, nën kujdesin e mjekëve. Edhe autori i dyshuar i kësaj ngjarje ka marrë plagë në trup dhe gjithashtu ndodhet i shtruar në Spitalin e Durrësit.
Në vendin e ngjarjes policia gjeti thikën me të cilën i riu plagosi të dashurën, një qese me një sasi kanabis dhe tre aparatë telefoni celularë.