Klubi i Korabit dyshon se futbollistët e tij kanë toleruar me dashje në ndeshjen e kësaj fundjave kundër Vllaznisë, ndaj do të kërkojë në FSHF që të hetohen nga Komisioni i Etikës. Ky ka qenë përfundimi i mbledhjes së sotme në klubin dibran ku është marrë një masë e rëndë disiplinore ndaj tre titullarëve që deri tani ishin thuajse të paprekshëm në radhët e skuadrës.
Portieri Mirosllav Vujadinoviç si dhe mbrojtësit Emiliano Çela dhe Arjan Sheta, janë pezulluar pa afat nga klubi i Korabit. Drejtuesit kanë konfirmuar për “Panorama Sport” se kanë dyshime që lojtarët në fjalë kanë toleruar në takimin kundër Vllaznisë, duke mundësuar fitoren e shkodranëve në një ndeshje që mund të rezultojë vendimtare për mbijetesën në Superiore.
Ndaj do të kërkohet zyrtarisht nga Komisioni I Etikës në FSHF që të nisë hetimin për ngjarjet e asaj sfide duke iu referuar pikërisht veprimeve të futbollistëve në fjalë në fushën e lojës. Nuk ka kaluar pa masa ndëshkimore as mesfushori Alfred Zefi, i cili është dënuar me gjobë nga klubi por për momentin nuk është i pezulluar.
Një situatë e tillë komplikon edhe më shumë situatën te Korabi, ku tashmë trajneri Haxhiu do ta ketë shumë më të vështirë të ndërtojë një formacion titullar pas mungesës së tre të pezulluarve. Vujadinoviç dhe Çela kanë luajtur 20 nga 22 ndeshjet e këtij kampionati me Korabin, ndërsa Sheta ka zbritur në fushë 16 herë./ panorama sport