“IFFHS” ka bërë publike renditjen e re të klubeve botërore. Në listën e re të nxjerrë nga faqa zyrtare e Federatës Ndërkombëtare të Historisë dhe Statistikave në Futboll, ka një “çmenduri” për tifozët shqiptarë të futbollit, në veçanti tifozët korcarë.
Në renditjen e IFFHS, Skënderbeu zë vendin e 47 në botë. Për ta bërë konceptin të qartë, ka ngjitur plot 378 pozicione në krahasim me një vit më parë dhe për ta kuptuar akoma më mirë, lë pas në renditje skuadra të nivelit botëror si Olimpiakos, Lazio, Borusia Dortmund, Ajaksi, Schalke, Cverna Zvezda apo Partizani i Beogradit.
Natyrisht që një kapërcim i tillë i dedikohet ecurisë fantastike të kësaj vere në Europa League, ku Skënderbeu, si asnjë skuadër tjetër shqiptare më parë, kaloi plot 4 ture për t’u kualifikuar në fazën e grupeve, si dhe nuk pësoi asnjë humbje në shtëpi në takimet europiane.
Një katapultim në kufijtë e të pabesueshmes. Ndërsa ndodhet në Turqi në përgatitjet e dimrit, Skënderbeu dhe futbolli shqiptar i gëzohet këtij lajmi vërtet interesant, një klasifikimi fantastik në renditjen e Institutit të Historisë dhe Statistikave në Futboll për vitin që lamë pas.