Kjo e diel ka kaluar me disa ngjarje në bregdetin e vendit. Një 72-vjeçar ka humbur jetën si pasojë e një ataku kardiak në Spille, ndërsa në Gjirin e Lalzit janë djegur një shtëpi pushimi dhe disa makina. Gjithashtu Polumbarët e Forcës Detare i kanë shpëtuar jetën pushuesit 55-vjeçar në plazhin e Jalës.
Një i vdekur, djegia e një shtëpie pushimi dhe të disa automjeteve të parkuara pranë njëra-tjetrës është bilanci i ngjarjeve të ndodhura të dielën në plazhet e vendit.
Në plazhin e Spillesë, një 72-vjeçar ka ndërruar jetë gjatë orëve të paradites.
Sipas njoftimit të policisë, shtetasi me iniciale M.K, banues në Elbasan, është futur në det dhe dyshohet të ketë pësuar arrest kardiak.
Vrojtuesi i plazhit ka ndërhyrë me shpejtësi, por pushuesi nuk ka mundur që të mbijetojë.
Ndërkohë në Gjirin e Lalzit është djegur një godinë që shërbente si shtëpi pushimi, dhe disa automjete të ndodhura aty pranë të cilat ishin të parkuara afër njëra-tjetrës.
Nga zjarri fatmirësisht nuk ka patur të lënduar në njerëz, vetëm dëme materiale.
Në vendin e ngjarjes ka mbërritur zjarrfikësja duke shuar flakët dhe parandaluar përhapjen, kurse grupi hetimor i ka nisur punën për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarje.