Me siguri të gjithëve ju ka ndodhur të përjetoni momentin e njohur si Déjà Vu.
Duke e përkthyer termin nga frengjishtja do të thotë diçka tashmë e parë.
Ata që e kanë provuar e përshkruajnë si një ndjesi tepër familjare, rikthim i diçkaje të përjetuar më parë në po të njëjtën mënyrë. Ndjesia është kaq e fortë, saqë të bën të vendosësh në pikëpyetje veten nëse momenti është real apo moment i përsëritur.
Për shembull, ju po udhëtoni për herë të parë në një qytet, futeni në një katedrale dhe papritmas, duket sikur brenda atij vendi nuk është hera e parë që shkelni. Jeni duke biseduar me dikë gjatë një darke e në një moment, ju duket se po të njëjtat fjalë, po e njëjta përgjigje, po të njëjtat lëvizje dhe mimika, disi i keni parë të ndodhin.Fenomeni është mjaft kompleks dhe ka shumë teori të ndryshme se pse ndodh Deja Vu. Megjithëse disa e interpretojnë Deja Vu-në në një kontekst paranormal, qasjet kryesore shkencore hedhin poshtë shpjegimin e deja vu-së si “profeci”. Përkundrazi, ata e shpjegojnë atë si një anomali të kujtesës, pasi pavarësisht ndjenjës së fortë të të mbajturit mend, koha, vendi dhe konteksti praktik i përvojës “së mëparshme” janë të pasigurta ose besohet të jenë të pamundura.
Njihen dy lloje të Deja Vu-së. Deja Vu patologjike, e cila zakonisht lidhet me epilepsinë.
Në këto raste zgjat shumë dhe shoqërohet me simptoma të tjera, si halucinacione. Në këtë rast, mund të jetë tregues i sëmundjes neurologjike ose psikiatrike. Lloji tjetër është Deja Vu jo- patologjike, karakteristikë e njerëzve të shëndetshëm; rreth dy të tretat kanë kaluar të paktën njëherë një përvojë të tillë.Njerëzit që shikojnë më shumë filma, udhëtojnë më shumë, kanë më shumë premisa për të kaluar një deja vu. Sipas raporteve botërore më shumë se 70% e njerëzve në botë shprehen se kanë përjetuar forma të ndryshme të eksperiencës déjà vu.
Dhe më së shumti e përjetojnë të rinjtë ndërsa me kalimin e moshës momentet déjà vu nisin të veniten.