Ish ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka folur për marrëdhëniet politike dhe personale dhe si kanë ndryshuar ato, pas publikimit në media të dosjes së përgjimeve “Habilaj”, ku emri i tij dilte në një bisedë mes trafikantëve.
Tahiri, në një intervistë për gazetarin Sokol Balla në "Top Story", nuk ka pranuar të komentojë deklaratat e Edi Ramës dhe shprehjet e përdorura prej tij si “dru i shtrembër”.
Ndër të tjera Tahiri i është përgjigjur edhe pyetjes nëse kjo ngjarje i ka dhënë fund karrierës së tij politike, duke thënë se gjithçka varet nga besimi i njerëzve te ai.
Çfarë keni diskutuar me Edi Ramën?
Duhet të ishe në takim që të merrje përgjigje, mos të prsje nga unë. Nuk ishte një diskutim si poshtë tavoline.
A ishte diskutim me ton?
Nuk ka ndodhur kjo.
Te Arjan Çani, Edi Rama përdori një shprehje “Paske bërë diçka që do t’i japë ushqim qenve për një kohë të gjatë”, kë ka nënkuptuar me “qenë”, media? Kundërshtarët politikë? Habilajt?
Unë nuk dua të komentoj mbi atë që tha kryeministri. Unë duhet të kisha bërë më shumë kujdes për shitjen e makinës. Nëse do të isha menduar më gjatë nuk do e bëja. Unë i kam shpjeguar kyeministrit arsyet e vendimit dhe pse ka ndodhur, shkruan NeësBomb.
Pse Edi Rama e ka shtuar distancën ndaj jush...?
Unë them që duhet të pyesësh Edi Ramën për këto, unë nuk kam dëshirë të komentoj. Deklaratat e secilit prej nesh duhen lexuar në kontekstin e madh.
A ka ndonjë raport sot mes Edi Ramës dhe Samir Tahirit? Edhe personal...
Kemi patur një raport që për shkak të punës ishim detyruar të komunikonim disa herë në ditë. Normale që ai ka patur besim te unë, dhe unë ja kam kthyer me besim e luajalitet.
Çfarëdo që të ndodhë, a është mbyllur karriera juaj politike?
E di që shumë njerëz e kanë uruar këtë gjë. Karriera politike nuk mbyllet me urdhër të askujt, dhe kjo nuk ka të bëjë me asgjë tjetër përveç me besimin e njerëzve, nëse njerëzit besojnë apo nuk besojnë te unë pas procesit të hetimit, kjo ndan nëse ka karrierë apo jo.